Dialogu ndër-komunitar në Mitrovicë: Ide konkrete për bashkëpunim mes shqiptarëve dhe serbëve

Në Mitrovicë u mbajt takimi i dytë ndër-komunitar në kuadër të projektit “E ardhmja e Kohesive,” i financuar nga GCERF dhe i zbatuar nga konsorciumi Syri i Vizionit, Instituti Edutask dhe NGO Aktiv.

Pjesëmarrës nga komunitetet shqiptare dhe serbe nga Mitrovica e Jugut, Mitrovica e Veriut, Zveçani, Zubin Potoku dhe Leposaviqi propozuan ide bashkëpunimi në kulturë, sport, ekonomi dhe jetën e përditshme.

Ky proces synon të forcojë besimin dhe të krijojë një bazë të qëndrueshme për dialog dhe bashkëpunim afatgjatë mes komuniteteve.

Komunikata e plotë:

Në një kohë kur sfidat e ndarjes etnike dhe mungesa e besimit vazhdojnë të ndikojnë në jetën e përditshme të qytetarëve në Kosovë, dialogu konstruktiv midis komuniteteve është një mjet i fuqishëm për të ndërtuar ura bashkëpunimi dhe për të krijuar një të ardhme më gjithëpërfshirëse. Në kuadër të projektit “E ardhmja e Kohesive” të konsorciumit Syri i Vizionit, Instituti Edutask dhe NGO Aktiv, që financohet nga Global Community Engagement and Resilience Fund (GCERF) po aplikohet një qasje e re e ndërveprimit në mes të komuniteteve duke përfshirë udhëheqës të fshatrave, lagjeve dhe komuniteteve, si dhe përfaqësues të institucioneve dhe shoqërisë civile për të ndërmarrë hapa konkret drejt bashkëpunimit.

Në takimin e mbajtur sot në Mitrovicë në qendrën rinore Diakonie, të organizuar nga Instituti Edutask dhe NGO Aktiv, pjesëmarrësit nga komuniteti shqiptar dhe ai serb nga komuna e Mitrovicës jugore, Mitrovicës veriore, Zveçanit, Zubin Potokut e Leposaviqit, si vazhdim i diskutimit të sfidave të përbashkëta propozuan ide konkrete bashkëpunimi. Idetë e propozuara ishin nga fusha e kulturës, sportit, ekonomisë, dhe jetës së përditshme,  ide që do të përpunohen në vazhdimësi nga projekti së bashku me komunitetet. Kjo qasje dialogu po demonstron që përtej ndasive etnike, ekziston një interes i përbashkët për të ndërtuar një shoqëri më të hapur dhe më funksionale. Dialogu aplikon parimin e dëgjimit aktiv, duke krijuar hapësirë për të gjithë pjesëmarrësit që të shprehin shqetësimet dhe pritshmëritë e tyre. Përmes këtij procesi, projekti ka kontribuar në rritjen e besimit dhe respektit të ndërsjellë dhe ofrimin e propozimeve  konkrete dhe zgjidhjeve praktike për sfidat e komuniteteve.

Si takimi i dytë ndër- komunitar pas një serie te shtatë dialogjeve fillimisht brenda shtatë komunave pjesëmarrëse ne projekt dhe trajnimeve dhe udhëzimeve per rritjen e ndikimit te figurave te rëndësishme te komuniteteve ne parandalimin e ekstremizmit dhe promovimin e bashkëjetesës dhe bashkëpunimit, elementi kyç është vazhdimësia e angazhimit i cili ka mundësuar një qasje gjithëpërfshirëse që angazhon të gjitha grupet e shoqërisë. Ky angazhim i vazhdueshëm  kërkon vullnet, durim dhe bashkëpunim të ndërsjellë. Për këtë arsye, projekti synon  të krijojë një proces të qëndrueshëm dialogu i cili do të mbështesë aktivitetet e ardhshme të propozuara nga komunitetet. /Kosova.info/


Go to TOP