“Dhuro gjak, shpëto jetë” – 74 qytetarë dhurojnë gjak në Kullën e Zahir Pajazitit në nderim të heronjve të kombit
Në frymën e humanizmit, solidaritetit dhe respektit për sakrificën sublime të heronjve të kombit Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha, u organizua aktiviteti tradicional i dhurimit vullnetar të gjakut me moton “Dhuro gjak, shpëto jetë”, në ambientet e Kullës së Zahir Pajazitit në Orllan.
Ky aktivitet humanitar kishte për qëllim sensibilizimin e qytetarëve për rëndësinë jetike të dhurimit të gjakut, si dhe nderimin e figurave të ndritura të historisë sonë kombëtare, të cilët dhanë jetën për lirinë dhe të ardhmen e vendit. Përmes këtij akti simbolik dhe konkret njëkohësisht, u dëshmua se vlerat e sakrificës, solidaritetit dhe përgjegjësisë shoqërore vazhdojnë të mbeten të gjalla ndër breza.
Me këtë rast, 74 qytetarë dhuruan vullnetarisht gjak duke dhënë një kontribut të drejtpërdrejtë dhe të çmuar për shpëtimin e jetëve të njerëzve në nevojë dhe për forcimin e rezervave të gjakut në vend.
Procesi i dhurimit u realizua me profesionalizëm të lartë nga ekipet shëndetësore të Transfuzionit të Gjakut, të cilët garantuan standarde të plota mjekësore dhe siguri për të gjithë dhuruesit.
Organizatorët shprehën mirënjohje të veçantë për të gjithë qytetarët dhurues, stafin shëndetësor dhe secilin që kontribuoi në realizimin e këtij aktiviteti humanitar duke theksuar se nderimi i heronjve bëhet më i plotë kur shoqërohet me vepra konkrete në shërbim të jetës dhe njerëzimit.
Aktiviteti u organizua nga organizata OPED, e cila përmes këtij angazhimi dëshmon përkushtimin e saj të vazhdueshëm në promovimin e vlerave humane dhe aktiviteteve me interes të përgjithshëm shoqëror. /Kosova.info/
