Dhunë në protestat kundër ligjit për “agjentët e huaj” në Gjeorgji

Ministria e Brendshme e Gjeorgjisë tha se ka hapur një hetim për sulmet ndaj tre protestuesve – njëri prej të cilëve politikan i opozitës – në një miting kundër të ashtuquajturit ligj për “agjentët e huaj”, mbrëmjen e 8 majit në Tbilisi.

Ministri i Brendshëm, Vakhtang Gomelauri, tha të enjten se sulmet nga njerëz të paidentifikuar kundër specialistit të marrëdhënieve ndërkombëtare, Gia Japaridze, aktivistit Lasha Gvinianidze dhe politikanit të opozitës, Dimitri Chikovani, “do të hetohen plotësisht”.

“Njerëzit u plagosën, për fat të keq”, tha ai, por nuk dha më shumë hollësi.

Në një njoftim ndarazi, policia tha se gjashtë protestues që morën pjesë në tubim, u arrestuan për shkelje të dyshuara të rendit publik.

Ka pasur raporte se forcat e rendit, në disa raste, kanë përdorur spërkatje kimike, gaz lotsjellës, topa uji dhe plumba gome për shpërndarjen e protestuesve.

Gjeorgjia, prej javësh, është përfshirë nga protestat kundër atij që kritikët e quajnë “ligj rus”.

Projektligji i diskutueshëm, i nxjerrë nga partia në pushtet, Ëndrra Gjeorgjiane, kërkon që mediat, OJQ-të dhe organizatat e tjera jofitimprurëse të regjistrohen si “përcjellëse të interesave të një fuqie të huaj”, nëse më shumë se 20 për qind e financimit të tyre vjen nga jashtë.

Qeveria këmbëngul se masa – e ngjashme me një që ka Rusia – është në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian dhe synon ta rrisë “transparencën”, si dhe ta parandalojë “ndikimin e dëmshëm nga jashtë” në skenën politike të vendit.

Organizata për të drejtat e njeriut, Human Rights Watch, e hodhi poshtë këtë qëndrim të enjten, duke thënë se ligji, si i tillë, kërcënon të drejtat themelore.

Legjislacioni pritet të dalë në leximin e tretë dhe të fundit më 13 maj.

Udhëheqësit e Bashkimit Evropian thonë se zbatimi i tij do të ndikonte negativisht në aspiratat e Gjeorgjisë për anëtarësim në BE.

Masa u kritikua edhe nga ShBA-ja, mbështetësja më e madhe e ish-republikës sovjetike në vitet e fundit.

Go to TOP