Dezertimi rrezikon t’i boshatisë forcat ukrainase në një kohë jetike në luftën me Rusinë
Associated Press
Dezertimi është duke e boshatisur Ushtrinë ukrainase, e cila ka nevojë dëshpëruese për ushtarë, si dhe duke i prishur planet e saj për fushëbetejë, në një kohë jetike për luftën e saj me Rusinë. E gjithë kjo mund ta vërë Kievin në pozitë të pavolitshme në bisedime për armëpushim në të ardhmen.
Dhjetëra mijëra ushtarë ukrainas, të përballur me të gjitha mungesat e mundshme, të dërrmuar dhe të dëshpëruar, kanë ikur nga luftimet dhe nga pozicionet e tyre në vijat e frontit për të jetuar në fshehtësi, sipas ushtarëve, avokatëve dhe zyrtarëve ukrainas.
Njësite të tëra i kanë braktisur pozicionet e tyre, duke i lënë vijat mbrojtëse në brishtësi dhe duke i përshpejtuar humbjet territoriale, sipas ushtarëve dhe komandantëve ushtarakë.
Disa prej tyre marrin pushim mjekësor dhe nuk kthehen kurrë më, për shkak të traumave nga lufta dhe demoralizimit nga frika se nuk do të arrihet fitore. Të tjerët fjalosen me komandantët dhe nuk pranojnë t’i zbatojnë urdhrat, madje nganjëherë edhe midis luftimeve.
“Ky problem është kritik. Ky është viti i tretë i luftës dhe ky problem vetëm sa do të thellohet”, tha Oleksandr Kovalenko, analist ushtarak nga Kievi.
Megjithëse edhe Moska është përballur me dezertime, dezertimi i ukrainasve i ka nxjerrë në sipërfaqe telashet e thella që e kanë munduar ushtrinë e tyre dhe se si Kievi është duke e udhëhequr këtë luftë – nga mobilizimi i keq deri te lodhja dhe pakësimi i njësiteve të frontit të luftës.
Ditë më parë, Shtetet e Bashkuara i bënë thirrje Ukrainës ta shtojë numrin e trupave duke lejuar thirrjen në ushtri edhe personat nga mosha 18-vjeçare.
Associated Press ka folur me dy dezertorë, tre avokatë dhe dhjetëra zyrtarë ukrainas dhe komandantë ushtarakë. Zyrtarët dhe komandantët folën në kushte anonimiteti, derisa një dezertor nuk e zbuloi emrin nga frika se mund të ndiqet penalisht.
“Është e qartë se tani, sinqerisht, ne ia kemi nxjerrë yndyrën njerëzve tanë”, tha një oficer nga Brigada e 72-të, i cili theksoi se dezertimi është ndër arsyet kryesore pse Ukraina e ka humbur qytezën Vuhledar në tetor.
Ushtarët që ikin
Më shumë se 100.000 ushtarë akuzohen për dezertim në bazë të Ligjit ukrainas kundër Dezertimit prej se Rusia e nisi pushtimin e Ukrainës në shkurt 2022, sipas zyrës së prokurorit të Përgjithshëm të vendit.
Gjysma e tyre kanë ikur vetëm vitin e kaluar, pasi Kievi e nisi një mobilizim agresiv dhe kontrovers, për të cilin zyrtarët qeveritarë dhe komandantët ushtarakë e pranojnë se ka dështuar gati plotësisht.
Ky është një numër shumë i lartë, duke ditur se rreth 300.000 ushtarë ukrainas u angazhuan në luftime para se të fillonte përpjekja për mobilizim.
Madje, numri i tanishëm i dezertorëve mund të jetë shumë më i lartë. Një ligjvënës vlerëson se numri i tyre mund të jetë deri në 200.000.
Shumë dezertorë nuk kthehen më pasi të marrin pjese për pushim mjekësor. Ata janë të dëmtuar psikologjikisht dhe emocionalisht nga luftimet e vazhdueshme. Ata ndiejnë faj për mungesë vullneti për të luftuar, zemërim për mënyrën se si po udhëhiqet përpjekja për luftë, dhe të inatosur se nuk duket e mundur fitorja në këtë luftë.
“Të heshtësh për një problem të madh vetëm sa e dëmton vendin tonë”, tha Serhiii Hnezdilov, njëri nga ushtarët e pakët që folën publikisht për vendimin për të dezertuar. Ai u akuzua pak pasi Associated Press e intervistoi në shtator.
Një dezertor tjetër tha se fillimisht u largua nga njësia e tij e këmbësorisë me leje, pasi kishte nevojë për një operacion. Kur i përfundoi leja, nuk mundi ta bindte veten të kthehej.
Ai ende ka makthe për shokët që i kishte parë duke u vrarë.
“Mënyra më e mirë për ta shpjeguar është të parafytyrosh se përballë zjarrit të armikut dhe nga ana e tyre [rusëve], vijnë 50 predha drejt teje, ndërsa nga ana jonë, vetëm një. Pastaj e sheh se si miqtë e tu po copëtohen dhe e kupton se në çdo sekondë, kjo mund të të ndodhë edhe ty”, tha ai.
“Ndërkohë, djemtë [ushtarët ukrainas] 10 kilometra larg jush, të thonë në radio: ‘Vazhdoni, mbajeni veten. Gjithçka do të jetë në rregull’”, shtoi ai.
Edhe Hnezdilov u largua për të kërkuar ndihmë mjekësore. Para se t’i nënshtrohej operacionit, ai njoftoi se po dezertonte. Ai tha se pas pesë vjetësh në shërbim ushtarak, nuk shihte asnjë shpresë për t’u liruar nga ushtria ndonjëherë, pavarësisht premtimeve të mëparshme nga udhëheqësia e vendit.
“Nëse nuk ka afat përfundimtar [për shërbimin ushtarak], kjo shndërrohet në burg – bëhet psikologjikisht e vështirë të gjesh arsye për ta mbrojtur këtë vend”, tha Hnezdilov.
Një problem në rritje për Kievin
Dezertimi ka bërë që planet për fushëbetejë të jenë të parealizueshme për komandantët e ushtrisë.
Associated Press mësoi për raste ku linjat mbrojtëse dështuan sepse njësite të tëra i refuzuan urdhrat dhe i braktisën pozicionet e tyre.
“Për shkak të mungesës së vullnetit politik dhe menaxhimit të dobët të trupave, veçanërisht në këmbësori, sigurisht që nuk po lëvizim në drejtimin e duhur për t’i mbrojtur siç duhet territoret që i kontrollojmë tani”, tha Hnezdilov.
Sipas një ligjvënësi, Ushtria e Ukrainës regjistroi një deficit prej 4.000 trupash në vijën e frontit në shtator, kryesisht për shkak të vdekjeve, plagosjeve dhe dezertimeve. Shumica e atyre që dezertuan ishin të rekrutuar rishtazi.
Kreu i shërbimit ligjor i një brigade, i cili merret me përpunimin e rasteve të dezertimeve dhe dërgimin e tyre te organet ligjzbatuese, tha se ka shumë të tillë.
“Gjëja kryesore është se ata i braktisin pozicionet luftarake gjatë luftimeve, dhe shokët e tyre vdesin për shkak të kësaj. Kemi pasur disa raste kur njësite të vogla ose të mëdha, janë larguar. Ata i lanë të ekspozuara njesistet e tyre, dhe armiku arriti në këto pozicione duke vrarë vëllezërit e tyre në ushtri, sepse ata që qëndronin në pozicione nuk e dinin se nuk e kishin më askënd përreth”, tha zyrtari.
Kështu u humb Vuhledari brenda pak javësh në tetor, një qytezë në majë të kodrës që Ukraina e mbrojti për dy vjet, tha një oficer i Brigadës së 72-të, i cili ishte ndër të fundit që u tërhoq.
Brigada e 72-të tashmë ishte e mbingarkuar pak javë para se Vuhledari të binte. Vetëm një batalion i vijës së frontit dhe dy batalione këmbësorie po e mbanin qytetin kah fundi, ndërsa drejtuesit ushtarakë madje filluan t’i tërhiqnin njësitet nga këto batalione për t’i mbështetur krahët anësorë, tha oficeri.
Në secilën kompani të batalioneve duhej të kishte 120 burra, por disa kompani kishin mbetur me vetëm 10 për shkak të vrasjeve, plagosjeve dhe dezertimeve, shtoi ai. Rreth 20% e ushtarëve që mungonin nga ato kompani, ishin larguar pa leje.
“Përqindja është rritur në mënyrë të shpejtë çdo muaj”, shtoi ai.
Përforcimet ishin dërguar kur Rusia kuptoi dobësinë e pozicionit të Ukrainës dhe kreu sulme. Por, edhe përforcimet u larguan, tha oficeri. Për shkak të kësaj, kur një nga batalionet e Brigadës së 72-të u tërhoq, anëtarët e tij u qëlluan për vdekje sepse nuk e dinin se askush nuk po i mbulonte, shtoi ai.
Megjithatë, ky oficer nuk ndien urrejtje ndaj dezertorëve.
“Në këtë fazë, nuk e dënoj asnjë prej ushtarëve nga batalioni im dhe të tjerët… Sepse të gjithë janë thjesht vërtet të lodhur”, tha ai.
Akuzimi i dezertorëve
Prokurorët dhe ushtria nuk parapëlqejnë të ngrenë aktakuza kundër dezertorëve dhe e bëjnë këtë vetëm nëse dështojnë t’i bindin ata të kthehen, sipas tre oficerëve ushtarakë dhe një zëdhënësi së Byrosë Shtetërore për Hetime të Ukrainës.
Disa dezertorë kthehen, por më pas ikin përsëri.
Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës tha se ushtarëve u ofrohet mbështetje psikologjike, por nuk iu përgjigj pyetjeve të dërguara me email mbi ndikimin që dezertimet kanë në fushën e betejës.
Pasi ushtarët akuzohen për dezertim, mbrojtja e tyre bëhet e ndërlikuar, thanë dy avokatë që trajtojnë këto raste. Ata përqendrohen në gjendjen psikologjike të klientëve të tyre nga momenti kur dezertuan.
“Njerëzit nuk mund ta përballojnë psikologjikisht situatën në të cilën ndodhen dhe nuk u ofrohet ndihmë psikologjike”, tha avokatja Tetyana Ivanova.
Ushtarët të cilët lirohen nga akuza për dezertim për arsye psikologjike vendosin precedent të rrezikshëm, sepse “atëherë pothuajse të gjithë arsyetohen për t’u larguar, pasi nuk ka mbetur pothuajse asnjë person i shëndetshëm [në këmbësori]”, shtoi ajo.
Ushtarët që po mendonin të dezertonin e kanë kërkuar këshillën e saj. Disa prej tyre po dërgoheshin për të luftuar pranë Vuhledarit.
“Ata nuk do ta merrnin territorin, nuk do të fitonin asgjë, por asnjë prej tyre nuk do të kthehej”, tha ajo.