Dështon kalimi i projektligjit për IVF, Kusari fajëson LVV-në

Në seancën e sotme plenare të Kuvendit, në rend dite ka qenë edhe votimi në parim i Projektligjit për shëndet riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor.

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, gjatë thirrjes për votim, tha se diskutimi për të ka përfunduar dhe ka mbetur vetëm votimi.

Herën e parë kur u hodh në votim, Konjufca tha se vetëm 56 deputetë kanë votuar për këtë projektligj dhe një pjesë e tyre, të pranishëm në sallë, nuk kanë marrë pjesë në votim.

Kryekuvendari kërkoi që të përsëritet edhe një herë votimi për këtë projektligj.

Edhe herën e dytë pati mungesë kuorumi sepse vetëm 51 deputetë morën pjesë në votim.

“Nuk po e përsëris herën e tretë, nuk po shoh kushte që të votohet ky projektligj. Nuk ka vullnet, si duket”, deklaroi Konjufca.

Projektligji në fjalë, ai tha se bartet në seancën e radhës.

Ndërkaq, për mosvotimin e këtij projektligji ka reaguar juristja e së drejtës së medias, Flutura Kusari.

Fajin për dështim, ajo ia vuri Lëvizjes Vetëvendosje.

“VV kundër grave! Gratë voto VV-në e VV-ja voto kundër interesave të grave. As sot VV nuk ke në gjendje me kalu ligjin që, ndër të tjera, lejon të behet IVF-ja në spitale publike”, tha Kusari në një reagim në Facebook.

Këtë, ajo e quajti “super-dështim politik”.

Kujtojmë se rreth katër muaj më parë, Qeveria e Kosovës e kishte miratuar Projektligjin për Shëndetin Riprodhues dhe Fertilizimin e Asistuar Mjekësor, duke hapur rrugë që ky projektligj të procedohet për aprovim në Kuvendin e Kosovës.

Ministria e Shëndetësisë pati thënë se me këtë Projektligj rregullohet kujdesi shëndetësor, procedurat e fertilizimit të asistuar mjekësor, realizimi dhe këshillimi për këto procedura si e drejtë riprodhuese e individit kur nuk arrihet shtatzëni e dëshiruar me rrugë natyrore.

“Në të ardhmen, qytetarët mund të kenë mundësi që këto shërbime të rëndësishme lidhur me shëndetin riprodhues dhe Fertilizimin e Asistuar -Fertilizimi in vitro (IVF) t’i marrin edhe në institucionet publike shëndetësore”, thuhej në njoftimin e MSh-së.

E njëjta kishte deklaruar tutje se rregullimi i kësaj fushe tashmë edhe me ligj, krijon mundësinë për organizimin, funksionimin, rolin dhe përgjegjësitë institucionale dhe profesionale, mbikëqyrjen, inspektimin për kujdesin shëndetësor të sigurt dhe cilësor që ofrohet në fushën e shëndetit riprodhues. 

Go to TOP