Deputeti turk Salih Murat kundërshton projektligjin për përfaqësim të drejtë dhe proporcional

Deputeti turk në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, Salih Murat, ka reaguar ndaj projektligjit për përfaqësim të drejtë dhe proporcional, i cili pritet të shqyrtohet të mërkurën në seancën plenare.

Sipas Muratit, projektligji bie ndesh me Kushtetutën, Marrëveshjen Kornizë të Ohrit dhe rekomandimet e Komisionit të Venecias. Ai vlerëson se ligji nuk do të sjellë integrim të komuniteteve, por do të çojë në dezintegrim dhe në cenimin e të drejtave individuale e kolektive të komuniteteve.

Murat kritikoi edhe mënyrën se si projektligji është proceduar në Kuvend. Sipas tij, ai është dorëzuar nga Zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane nga radhët e VLEN-it, edhe pse, sipas tij, propozues duhej të ishte ministria përgjegjëse.

Po ashtu, deputeti turk kritikoi partitë turke që mbështesin Qeverinë, duke i akuzuar se nuk kanë reaguar ndaj këtij projektligji dhe se janë mjaftuar vetëm me deklarata.

Në fund, Murat u bëri thirrje qytetarëve që gjatë këtij muaji të ndjekin nga afër debatet, votimin dhe rezultatin përfundimtar të projektligjit në Kuvend. /Kosova.info/


Go to TOP