Dënohet me pesë vjet burgim gjakovari që kreu grabitje në një pompë derivatesh
Gjykata Themelore në Gjakovë e ka shpallur fajtor të pandehurin F.Z., i cili dyshohet për veprën “Grabitje”.
Ai u dënua me pesë vjet burgim dhe me gjobë në shumën prej një mijë eurosh.
Sipas aktakuzës, i pandehuri F.Z., akuzohet se me datën 27 tetor 2018 rreth orës 03:00, në pompën e derivateve të naftës “A. P.” në fshatin Kramovik, në bashkëkryerje me të akuzuarit A. A. dhe Sh. Ll. të pajisur me armë zjarri dhe atë pushkë automatike AK-47 dhe revole, të maskuar shkojnë në pompën e derivateve të naftës “A. P.”, futen brenda në lokalin e pompës, fillimisht i pandehuri Sh. i pajisur me armë AK-47 më pas i pandehuri F. me një pistoletë dhe nën kërcenim e këtyre armëve i detyrojnë të dëmtuarit Sh. K. dhe R. S., punëtor në pompë që të shtrihen në tokë gjersa gjatë kësaj kohe të pandehurit nga arka marrin të holla të gatshme prej treqind (300) euro si dhe rreth njëqind (100) boksa cigare të llojeve të ndryshme e më pas largohen me shpejtësi nga vendi i ngjarjes në drejtim të një pylli ku ndodhej duke i pritur i pandehuri A. A..
“Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej pesëmbëdhjetë (15) ditëve nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar”, thuhet në njoftim.
