Dënohet me burg një oficer policie nga Anglia, vodhi 115 £ nga portofoli i të vdekurit

Një ish-oficer i Policisë Metropolitane është dënuar me 16 muaj burg, pasi pranoi se kishte vjedhur para nga një burrë që vdiq pasi u sëmur në rrugë.

Në shtator 2022, Craig Carter (51) mori 115 £ nga portofoli i regjisorit dhe aktorit italian Claudio Gaetani.

Carter, pas vdekjes së Gaetanit, duhej të mblidhte sendet e tij personale dhe u kap nga kamera duke numëruar para në një makinë policie. Ai ka shkruar në të dhënat e policisë se në portofolin e të ndjerit italian kishte rreth gjashtë paund e gjashtë euro. Miku i Gaetanit më pas mori pronën dhe u ankua se paratë i mungonin në portofol.

U pushua nga puna pas 23 vitesh shërbim

Edhe pse Carter fillimisht e mohoi marrjen e parave, ai u deklarua fajtor në gjykatë në korrik për sjellje të pahijshme në postet publike. Ai u pezullua nga detyra dhe më pas u shkarkua, pas 23 vitesh shërbim.

“Z. Gaetani ishte në pozitën më të cenueshme që çdo qenie njerëzore mund të ishte – i vdekur dhe i vetëm. Krimi yt ishte i neveritshëm. E zhgënjeje të gjithë komunitetin tënd,” i tha gjykatësi gjatë dënimit, shkruan BBC.

“Fakti që Carter mendoi se ishte i lirë të vidhte nga një viktimë që fatkeqësisht ka ndërruar jetë është jo vetëm shqetësuese, por edhe thellësisht mosrespektuese për familjen e viktimës. Mendimet tona mbeten me ta në këtë moment,” tha prokurori.


Go to TOP