Demelezi në Institutin Pyjor: Forcimi i menaxhimit të qëndrueshëm të pyjeve, prioritet institucional
Në kuadër të angazhimeve për mbrojtjen dhe zhvillimin e resurseve tona, Ministri në detyrë i Bujqësisë, i Pylltarisë dhe i Zhvillimit Rural, Imri Demelezi zhvilloi një vizitë tjetër në Institutin Pyjor, ku u diskutua për peshën e sektorit të pylltarisë.
“Me drejtorin Luan Hyseni dhe ushtruesin e detyrës së drejtorit ekzekutiv të Agjencisë së Pyjeve të Kosovës, Menderes Ibra, biseduam edhe për rolin e Institutit dhe Agjencisë në monitorimin e gjendjes së pyjeve, përdorimin efikas të fidanishtes, ekzekutimin e duhur të politikave dhe përballjen me sfida si ndryshimet klimatike, sëmundjet e pyjeve, zjarret pyjore dhe vlerën ekonomike e shëndetësore të pyjeve tona”, ka thënë Demelezi.
Ky Institut, me përkrahjen e Komisioni Evropian, Qeverisë së Suedisë dhe FAO-së tashmë posedon infrastrukturë dhe kapacitete teknike bashkëkohore, përfshirë laborator modern, të cilat kontribuojnë drejtpërdrejt në menaxhimin e qëndrueshëm të sektorit pyjor.
Ministri në detyrë Demelezi theksoi se ruajtja dhe rritja e vlerës së pyjeve mbetet prioritet institucional dhe personal si obligim ndaj natyrës dhe gjeneratave të ardhshme. /Kosova.info/
