Deliu-Kodra: Qeveria po përdor standarde të dyfishta, Martin Berishaj duhet të shkarkohet menjëherë
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra ka kërkuar shkarkimin e menjëhershëm të ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj. Kjo pasi mediat sllovene raportuan për një skandal financiar në Slloveni, e ku i përfshirë raportohet të jetë edhe Berishaj.
Në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, Deliu-Kodra tha se Kosova është përfshirë në një aferë, siç tha ajo, me përmasa të mëdha.
E kjo sipas Deliut nuk është gjë e mirë në kohën kur Kosova synon anëtarësimin në Këshillin e Evropës.
“Në kohën kur Kosova e ka një mundësi reale për anëtarësim në Këshillin e Evropës ka pasur raportime nga mediat sllovene për një skandal trë madh financiar, ku përflitet edhe ambasadori i Kosovës në Kroaci z.Martin Berishaj. Në një kohë ku për shkak të rrethanave përtej nesh na është krijuar një mundësi e artë për anëtarësim në Këshillin e Evropës pas përjashtimit të Rusisë nga ky mekanizëm i rëndësishëm ndërkombëtar. Në vend se të gjitha resurset tona diplomatike dhe politike të jenë në funksion të jetësimit të këtij qëllimi madhor të Kosovës, Kosova del të jetë e përfshirë në një aferë me përmasa tejet të mëdha”, ka thënë ajo.
Deliu-Kodra theksoi se Berishaj duhet që të shkarkohet menjëherë nga pozita e ambasadorit.
“Martin Berishaj ka jetuar në Slloveni, ka hapur xhirollogari bankare dhe biznes në Mal të Zi, e skandali ka shpërthyer në Slloveni. Ambasadori duhet të shkarkohet e më pas drejtësia ta thotë fjalën e vet. Qeveria dhe Presidenca nuk janë as gjykatës, as prokuror. Ata duhet që të marrin hapa institucional e politik duke shkarkuar menjëherë ambasadorin Martin Berishaj nga funksioni i tij si ambasador. Pas këtij skandali ai më nuk do të jetë në gjendje që ta ushtrojë funksionin e tij dhe fatkeqësisht me skandalin e tij tashmë ua ka vështirësuar punën edhe ambasadorëve që janë në shtetet fqinje. Prandaj shkarkimi as nuk do të duhej që të diskutohej”, deklaroi ajo.
Ajo para deputetëve shtroi edhe disa pyetje lidhur me ambasadorin Berishaj.
“Ne si PDK i kemi edhe disa pyetje këtu. Si e mori z.Berishaj nënshtetësinë, një ditë para se të bëhej ambasador? A ka kaluar i njëjti në hallkat e sigurisë? A e ka bërë verifikimin nga AKI-ja dhe si është marrë ky verifikim? Kosova nuk e ka luksin që të përballet me skandale të kësaj natyre”, tha Deliu-Kodra.
E mosshkarkimi i tij, sipas Deliut, paraqet standard të dyfishtë të Qeverisë Kurti.
“Mosshkarkimi i tij paraqet njëkohësisht një standard të dyfishtë nga kjo Qeveri. E mbrojnë dhe nuk e shkarkojnë një diplomat, i cili pavarësisht nga skandali që u publikua nga mediat sllovene, së paku është dashur të shkarkohet për mosdeklarim të pasurisë ose deklarim të rremë të pasurisë, kur e dimë që janë shkarkuar ambasadorë vetëm që kanë shprehur qëndrime në rrejte sociale”, tha ndër të tjera ajo.
