Deklarata e ambasadave: Vazhdon diskriminimi ndaj LGBTIQ+ në Kosovë

Ambasadat në Kosovë kanë bërë thirrje për respektim më të madh të të drejtave të komunitetit LGBTIQ+ në vendin tonë. Një thirrje e tillë është bërë me rastin e Ditës Ndërkombëtare kundër Homofobisë, Transfobisë dhe Bifobisë, përmes një deklarate të përbashkët të ambasadave.

“Ne njohin dhe promovojmë të drejtën e çdo njeriu për atë që është, për të përcaktuar identitetin e tij dhe për të dashur personin e zgjedhur. Çdo vend ka detyrimin të promovojë dhe mbrojë të gjitha të drejtat dhe liritë themelore të njeriut. Është detyrë e çdo qeverie të mbrojë të gjithë personat, pavarësisht nga gjinia, orientimi seksual ose identiteti gjinor, nga diskriminimi dhe dhuna, si dhe të sigurojë që të gjithë personat të gëzojnë mundësi të barabarta dhe trajtim të barabartë.  Megjithatë, diskriminimi, gjuha e urrejtjes dhe përjashtimi për shkak të orientimit seksual dhe identitetit gjinor në Kosovë vazhdojnë dhe ne jemi dëshmitarë të një kthese shqetësuese të të drejtave të personave LGBTIQ+ në nivel global”, thuhet në deklaratë.

Tutje ambasadat në Kosovë theksojnë se vazhdojnë të shprehin shqetësime dhe të flasin për të drejtat e njeriut.

 “Përpjekjet tona do të vazhdojnë në bashkëpunim të ngushtë me shoqërinë civile sepse barazia, respekti për dinjitetin dhe respekti për diversitetin janë në qendër të punës sonë. Të gjithë, duke përfshirë lezbiket, homoseksualët, biseksualët, transgjinorët dhe personat interseksualë, duhet të jenë të lirë të gëzojnë të drejtat dhe liritë që kanë të drejtë të gjithë individët kudo që ndodhen. Askush nuk duhet lënë pas dhe asnjë e drejtë njerëzore nuk duhet të injorohet”, thuhet tutje në deklaratën e përbashkët të ambasadave të Shqipërisë, Austrisë, Belgjikës, Kanadasë, Republikës Çeke, Estonisë, Finlandës, Francës, Gjermanisë, Irlandës, Italisë, Luksemburgut, Malit të Zi, Holandës, Maqedonisë së Veriut, Sllovenisë, Suedisë, Zvicrës, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. /Kosova.info/

Go to TOP