Debutim i suksesshëm i Olsi Mulajt në elitën e Francës
Hendbollisti i Kombëtares së Kosovës, Olsi Mulaj, ka arritur sukses shumë të rëndësishëm në karrierë. 19-vjeçari nga Peja të premten ka debutuar në kampionatin elitar të Francës, që vlerësohet liga e dytë më e fortë në botë.
Mulaj luajti mbi 15 minuta për skuadrën Istres që u përball me skuadrën e njohur evropiane, Montpellier. Montpellieri fitoi me rezultat 33:28, kurse hendbollisti ynë i talentuar i shënoi dy golat e parë në kampionatin francez.
Mulaj është zhvilluar te Besa Famgas, kurse verën e kaluar iu bashkua skuadrës franceze. Ai e ka udhëhequr Kosovën U19 në Kampionatin Botëror në Egjipt, kurse tani është prej lojtarëve të rëndësishëm në Kombëtaren A.
Për më tepër, ndeshja e së premtes shënon kthimin e Olsit në fushën e lojës, pas një lëndimi që e mbajti jashtë për plot tre muaj.
“Jam i lumtur për debutim në Superligën e Francës dhe për kthim nga lëndimi. Kam luajtur kundër Montpellierit, kampionit të dyfishtë të Evropës. 15 minuta lojë, dy gola, jam shumë i kënaqur me ndeshjen e parë. Ende nuk jam 100 për qind i gatshëm në aspektin fizik për shkak të lëndimit, por besoj shumë se deri te ndeshjet me Bosnjë-Hercegovinën do të jem në formën më të mirë. Por, pas tre muajsh jashtë për shkak të lëndimit, të kthehesh dhe të debutosh në këtë nivel është ndjenjë e jashtëzakonshme. Kam pasur emocione të mëdha para fillimit të ndeshjes, por gjatë lojës jam ndier pjesë e ritmit. Intensiteti i lojës në ligën elitare franceze është shumë i lartë”, ka theksuar Olsi Mulaj.
Federata e Hendbollit e Kosovës e përgëzon Olsin për këtë të arritur në karrierë dhe i dëshiron suksese edhe më të mëdha në të ardhmen. /Kosova.info/
