Debutim ëndrrash për Asllanin, gol dhe asist në fitoren ndaj Leverkusenit
Sulmuesi kosovar, Fisnik Asllani, ka shkëlqyer në debutimin e tij në Bundesliga duke udhëhequr Hoffenheimin drejt një fitoreje të madhe me përmbysje 1:2 ndaj Bayer Leverkusen në javën e parë të sezonit të ri.
Leverkuseni kaloi shpejt në epërsi me anë të Quansah, i cili shënoi që në minutën e 6-të. Por Asllani nuk vonoi shumë për të lënë gjurmën e tij. Në minutën e 25-të ai realizoi një gol të bukur, duke barazuar rezultatin dhe duke i ndezur Hoffenheimin.
Në pjesën e dytë, sulmuesi kosovar vazhdoi me formën e mirë.
Ai asistoi në mënyrë perfekte për Lemperle, i cili shënoi golin e dytë në minutat vendimtare, duke përmbysur rezultatin në 1:2, rezultat më të cilin edhe u mbyll kjo sfidë.
Ky debutim e vendos Asllanin menjëherë në qendër të vëmendjes në Bundesliga dhe te tifozët e Hoffenheimit, duke u konsideruar si një nga surprizat më të bukura të javës së parë të kampionatit gjerman.
