Mosekzekutimi i pagave, Molliqaj: Duhet t’i përgjigjemi me rezistencë të organizuar

Dardan Molliqaj, kryetar i Partisë Socialdemokrate, ka reaguar pas mosekzekutimit të pagave për muajin shtator për mësimdhënësit të cilit ishin në grevën për arsim, duke thënë se, kryeministri Albin Kurti, nuk dëshiron që asnjë grup shoqëror dhe asnjë grup e kategori tjetër të ketë autonomi e artikulim të nevojave të saj.
Molliqaj po ashtu ka thënë se, me Kurtin dhe këtë qeveri nuk mund të ketë as dialog social e as mirëbesim në veprime.

“Ajo që mund të themi tash me qartësinë më të madhe është që kryeministri i Kosovës, qeveria e Kosovës, ministrat e saj përkatës, nuk e kishin betejën me kërkesat e drejta ose të padrejta të grevistëve, nuk e kishin interesin për kthimin e fëmijëve në shkolla. Por ajo kërkesë e tyre e cila ishte për kthim në shkolla, në fakt ishte për nënshtrimin e mësimdhënësve. Këtu është e qartë që kryeministri nuk dëshiron asnjë grup shoqëror, asnjë grup e kategori tjetër të kësaj shoqërie të ketë autonomi e artikulim të nevojave të saj”, ka thënë kryetari i PSD-së.

“Por ne duhet të nxjerrim edhe një mësim tjetër, të gjithë ne, aktivistë, mësimdhënës, mjekë e kategori tjera shoqërore e profesione tjera, që me kryeministrin e Kosovës, me këtë qeveri nuk mund të ketë as dialog social e as mirëbesim në veprime”, ka thënë ndër tjerash ai.

“Pushteti na dëshmoi që luftën nuk e kishin me kërkesat e mësimdhënësve. Pushteti dëshironte nënshtrim të tyre vetëm pse guxuan të kundërshtojnë pushtetin me kërkesa të drejta e legjitime. Kësaj duhet t’i përgjigjemi me rezistencë të organizuar”, ka deklaruar Molliqaj.

Go to TOP