‘Fëmijët luajnë, bëjnë çka të duan vetë’, prindërit kundër mësimit të shtunave

Mbi 70 për qind e nxënëseve nuk kanë qenë pjesë e procesit mësimor të shtunën e kaluar. Sindikata e Arsimit dhe Këshilli i Prindërve janë shprehur kundër kompensimit të orëve sipas kalendarit të ri.

Edhe sot përmes një reagimi në rrjetin social Facebook, Këshilli i Prindërve të Kosovës është shprehur kundër mësimit të shtunave.
Reagimi i plotë:

Djem e vajza, anembanë Kosovës, të shtunave e të dielave marrin pjesë në gara të ndryshme në futboll, basketboll, vrapim, karate, xhudo, gjimnastikë, hendboll, tenis, ping-pong e sporte të tjera.

Vajza e djem gjithandej vendit të shtunave zhvillojnë aktivitete kulturore (teatër, vallëzim, balet, muzikë e art), apo edhe ndjekin kurse të ndryshme për gjuhë të huaja, kodim e zanate.

Djem e vajza në çdo komunë relaksohen në fundjavë me vizita familjare, ecje në natyrë, lexim sipas dëshirës, lojëra kompjuterike e plot aktivitete të tjera të moshës.

Janë dy ditë shumë të rëndësishme për to e për ta, të marrin kënaqësi, të luajnë e bëjnë çka vetë duan, të garojnë e sfidohen me aktivitete jashtëshkollore. Prindërit janë gjithnjë gati për mbështetje!

Dy ditë për rifreskim të mendjes e trupit, çlodhje e pushim. Dhe të gjitha këto, si parakusht, që java vijuese të mund të jetë sa më produktive në shkolla.

Këshilli i Prindërve iu uron të gjithë fëmijëve fundjavë të suksesshme, përplot kënaqësi e argëtim! Mirëpresim mbështetjen e institucioneve për aktivitete jashtëshkollore!

JO mësimit të shtunave, JO mësimit me zor!

FËMIJËT KANË TË DREJTA – OBLIGOHEMI T’I MBROJMË!.

Go to TOP