Me Ligjin e ri të Pagave sipas përllogaritjeve specialistët do të marrin 1400 euro në muaj

Afër 3 vjet pas pezullimit nga Gjykata Kushtetuese, Ligji i ri i Pagave është gati.Ligji që do t’i rregullojë pagat në sektorin publik është proceduar për konsultim, kurse më pas do të shkojë për miratim në Qeveri e Kuvend.

Draftin e këtij ligji e kanë parë në Federatën e Sindikatave të Shëndetësisë.
Kryetarja e kësaj federate, Tevide Imeri, thotë se në parim është e kënaqur me atë që përmban draft-ligji dhe me koeficientin që është vendosur për profesionistët shëndetësorë.

“Është një ligj që relativisht është i kënaqshëm për sektorin e shëndetësisë në qoftë se e kemi kalkulu realisht ashtu siç ishte nëpër media vlerën e koeficientit…. Tash është 12 koeficienti më i lartë tek mjekët. Në rast se është vlera e koeficientit 120 siç ka qarkullu dhe duhet të jetë sipas pagës së deklaruar nga Qeveria, është më e lartë se në ligjin që është hudhur poshtë nga Kushtetuesja”, ka thënë ajo.

Megjithatë ajo ka vërejtje për dy kategori.

“Kanë bo një ndasi te infermierët ku i kanë fut një kategori fizioterapeut, logopedë dhe infermierë të radiologjisë dhe të cilat i kanë konsideru si sektore të rrezikshmërisë të lartë por unë konsideroj që ka edhe sektorë të tjera që janë të rrezikshmërisë të lartë dhe duhet të rangohen sipas diplomimit… Pakënaqësi është edhe administrata e cila nuk dihet ku saktë se ku është rangu dhe ne nuk guxojmë që t’i lëmë me një kategori me administratat e komunave të tjera”, ka thënë Imeri.

I kënaqur me përmbajtjen e ligjit është edhe kryetari i Odës së Mjekëve, Pleurat Sejdiu.

“Ne i kemi dorëzu ministrisë disa propozime, dmth ide, qëndrime tona për nivelin, rangimin e mjekëve. Në draftin që e kemi pa tash përafërsisht aty janë. Nuk është çështja, që nga fillimi nuk kemi fol me shuma, nuk flasim shumë por çështja është te rangimi – ne kemi kërku që rangimi të jetë meritor për mjekët”, theksoi ai.

Sejdiu shtoi se do të kërkojë që ligji të zbatohet më herët se 8 muaj pas publikimit në Gazetën Zyrtare.

Paga aktuale e mjekut specialist në Kosovë është 600 euro.

Go to TOP