Cristian Chivu emërohet trajner i ri i Inter

Cristian Chivu është emëruar zyrtarisht trajner i ri i Inter, pas largimit të Simone Inzaghit, i cili u shkarkua pas humbjes së thellë 5-0 ndaj Paris Saint-Germain në finalen e Champions League.

Kjo është bërë e ditur nga vetë klubi i Serie A nëpërmjet një njoftimi zyrtar.

“Inter Milan ka kënaqësinë të mirëpresë Cristian Chivun si trajner të ri të skuadrës së parë. Ai ka nënshkruar kontratë deri më 30 qershor 2027”, ka shkruar njëra prej dy skuadrave kryesore të qytetit të modës. 

Dyzet e katër vjeçari së fundmi ishte trajner te Parma, ku arriti ta sigurojë mbijetesën në Serie A, vetëm pak muaj pasi mori drejtimin e skuadrës në muajin shkurt, duke zëvendësuar Fabio Pecchia. Ai kishte nisur karrierën si trajner te të rinjtë e Inter, para se të largohej verën e kaluar për të filluar aventurën e tij të parë si trajner i ekipit të parë.

Sipas raportimeve të mediave italiane, Chivu ka firmosur kontratë dyvjeçare me një pagë prej 2.5 milionë euro në sezon. Inter kishte tentuar ta sjellë Cesc Fabregas nga Como, por pas dështimit të bisedimeve, vendosi t’i besojë rumunit.

Chivu nuk është i panjohur për tifozët zikaltër. Ai ka qenë pjesë e suksesit historik të Inter si lojtar, duke fituar tre tituj të Serie A dhe trofeun e Champions League në vitin 2010 nën drejtimin e Jose Mourinho.

Përmes një postimi në Instagram, ai ka shprehur mirënjohjen ndaj Parmës. “Falënderoj klubin, stafin, lojtarët dhe tifozët për besimin dhe mbështetjen. Së bashku përballuam sfida dhe shkruam një faqe që do të mbetet në zemrën time”, ka theksuar tekniku rumun. 

Ndeshja e parë e Chivut si trajner i Inter Milan do të zhvillohet javën e ardhshme kundër Monterrey në kuadër të Botërorit të klubeve.


Go to TOP