Cramon: Jemi gati t’i heqim masat, s’ka më nevojë për to kur pala kosovare ka bërë gjithçka i është kërkuar

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, ka thënë se janë gati që t’i heqin masat e vendosura ndaj Kosovës nga Bashkimi Evropian.

Kjo pasi sipas saj, Kosova ka bërë gjithçka që i është kërkuar ndërsa përmendi referendumin për largimin e kryetarëve në veri dhe bojkotin për këtë nga Lista Serbe.

“Mendoj se kur shikojmë veriun, për shembull, shumë gjëra kanë ndodhur atje, referendumi ka dalë, Lista serbe ka vendosur të mos marrë pjesë. Mendoj se ky është një gabim i madh. Pra, këtu nëse flasim për masat dhe nëse flasim për atë që ndodhi më pas, tani jemi në një pikë ku do të thosha se duhet të heqim masat. Nuk ka më nevojë për masa kur pala kosovare ka bërë gjithçka që është kërkuar dhe unë do të thosha po, tani jemi gati”, tha Cramon.

Ajo foli edhe për zëvendësimin e emisarit special të BE-së, Miroslav Lajçak, nga pozita e ndërmjetësit të dialogut, ku tha se personi që do ta zëvendësojë atë duhet të jetë një person që nuk është lehtë i ndikueshëm nga palët.

“Mendoj se është një person në përgatitje. Pra, ka disa emra që përmenden. Nuk e di se kush do ta marrë emërimin përfundimtar apo kush do të votohet përfundimisht. Mendoj se duhet të jetë dikush që e njeh rajonin, dikush që është i aftë, por që nuk është gjithashtu shumë lehtë, si të thuash, shumë lehtë i ndikueshëm, sepse të dyja palët, natyrisht, kanë interesin e tyre shumë të fortë”, tha ajo.

Go to TOP