Çollakaj: Me vendosjen e kamerave në Shtërpcë, Serbia ka cenuar sigurinë e Kosovës 

Eksperti i sigurisë Fatmir Çollakaj, tha se Serbia, në mënyrë ilegale, ka zhvilluar aktivitete të përgjimit në komunën e Shtërpcës.

Çollakaj, në Info Magazine në Klan Kosova, tha se me aktivitete të tilla cenohet siguria e Kosovës.

“Çdo aktivitet përgjues apo vrojtues ilegal përmes kamerave apo pajisjeve të tjera të përgjimit, të cilat instalohen me qëllim të incizimit të gjendjes, fotografimit e kjo bëhet krejt në mënyrë ilegale meqë bëhet fjalë për një vend krejt tjetër, padyshim që cenohet siguria dhe rendi kushtetues i Kosovës” tha Çollakaj.

Gjatë këtij aksioni të zhvilluar nga Prokuroria Themelore e Ferizajt, në bashkëpunim me policinë, i kanë konfiskuar 15 kamera që ishin vendosur nga strukturat paralele serbe në vendet publike.

Prokurori i rastit, Rasim Maloku, tha për Klan Kosova se ka informacione se pamjet përcilleshin tek organet e sigurisë në Serbi.

Go to TOP