City ngec ndaj Southampton, Champions League në pikëpyetje
Manchester City ka pësuar një tjetër goditje në garën për një vend në Champions League, pasi nuk ka arritur më shumë se një barazim pa gola (0:0) ndaj Southampton të rënë tashmë nga elita.
Në një ndeshje që më shumë i ka ngjarë një stërvitje sesa një përballje garuese, “Qytetarët” kanë dominuar por duke krijuar shumë pak raste të pastra për gol. Ka qenë Kevin De Bruyne që ka regjistruar tentimin e parë serioz pas gjysmë ore lojë, nga një goditje dënimi që ka përfunduar mbi portë.
Southamptoni, që këtë sezon ka pësuar më shumë gola në pjesët e para se çdo ekip tjetër, ia ka dalë ta mbyllte pjesën e parë pa pësuar.
Trajneri Pep Guardiola ka reaguar me aktivizimin e Jeremy Doku në pjesën e dytë, por loja ka mbetur e njëjtë: me dominim të City dhe mbrojtje të ngjeshur të miqve.
Doku është dalluar me depërtimet e tij, duke krijuar rastin më të mirë për Bernardo Silva, por goditja e këtij të fundit është larguar nga vija fatale nga Jack Stephens. Edhe kur Haaland ka shërbyer për Nico O’Reillyn, ky i fundit ka dështuar ta godasë topin me portën e zbrazët.
Pavarësisht përpjekjeve të vonshme nga Savinho, De Bruyne dhe Omar Marmoush, City nuk e ka gjetur golin.
Me këtë barazim, City e rrezikon edhe zonën “Champions”. Skuadra nga Manchesteri ka 65 pikë dhe renditet në pozitën e tretë, ndërsa pesë pozitat e para të Premier League sigurojnë pjesëmarrjen në edicionin e ardhshëm të garës më të njohur evropiane të klubeve.
Në vendin e katërt ndodhet Newcastle me 63 pikë, ndërsa pikë të njëjta ka edhe Chelsea në pozitën e pestë. Dy skuadrat janë në ndjekje të afërt të City, por në garë për zonën elitare janë edhe Nottingham Forest dhe Aston Villa.
Ndërkohë, Southampton mbetet në vendin e fundit me vetëm 12 pikë dhe tashmë është zyrtarisht i rënë nga liga.
