City e nis me fitore në Kupën e Botës për Klube

Manchester City ka nisur me këmbë të mbarë fushatën për ta fituar për herë të dytë Kupën e Botës për Klube, duke triumfuar me rezultat 2-0 ndaj skuadrës marokene Wydad AC, në sfidën e zhvilluar në “Lincoln Financial Field” të Filadelfias.

Hero i takimit ka qenë Phil Foden, i cili ka realizuar një gol dhe ka asistuar në tjetrin.

Te City është ndier një frymë e re në këtë ndeshje, me trajnerin Pep Guardiola që kishte vendosur t’u japë rastin për të debutuar dy përforcimeve të reja: Tijjani Reijnders dhe Rayan Cherki. Ndërkohë, Phil Foden e ka shfrytëzuar këtë nisje të re për të lënë pas një sezon nën pritshmëri, duke shënuar që në minutat e para të ndeshjes. Ai ka reaguar shpejt pas një pritje të dobët të portierit El Mehdi Benabid, për ta dërguar topin në rrjetë dhe për ta shënuar golin e tij të parë për City që nga janari.

Skuadra marokene ka reaguar mirë pas golit të hershëm dhe ka qenë pranë barazimit në minutën e tridhjetë. Thembinkosi Lorch ka përfituar nga një gabim i mbrojtësit Vitor Reis dhe është gjendur përballë portierit, por një rrëshqitje e ka detyruar ta pasojë topin te Cassius Mailula, që nuk ka arritur ta kalonte Ederson.

Në fundin e pjesës së parë, Manchester City e ka dyfishuar epërsinë përmes Jeremy Doku, i cili ka finalizuar saktë pas një harkimi të thellë nga Foden prej këndi. Ky ka qenë goli i parë i Doku pas një periudhe pesëmujore pa shënuar në nivel klubesh. Ai ka pasur edhe një mundësi të artë në fillimin e pjesës së dytë, kur ka fituar topin dhe ka tentuar me të djathtën, por goditja e tij është ndalur nga Benabid. 

Pas këtij aksioni, Doku është zëvendësuar si pjesë e një treshe ndërrimesh që ka përfshirë edhe futjen në lojë të Oscar Bobb, Rodri dhe Erling Haaland. Ky i fundit ka qenë pranë shënimit me një goditje të fortë që ka përfunduar pak mbi traversë, ndërsa City ka vazhduar ta kërkojë golin e tretë për të vulosur fitoren. 

Në minutat e fundit, City ka mbetur me një lojtar më pak pas ndëshkimit me karton të kuq të Rico Lewis, për një ndërhyrje të ashpër ndaj Samuel Obeng. Megjithatë, skuadra angleze ka menaxhuar me sukses epërsinë dhe e ka mbyllur ndeshjen pa pësuar gol. 


Go to TOP