Çitaku viziton Thaçin në Hagë, tregon çka biseduan

Sekretarja e Përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka vizituar ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin në Hagë.

Me anë të një postimi në Facebook, Çitaku ka thënë se në 25 vjetorin e çlirimit kanë folur për të kaluarën.

“Pamja, disponimi dhe humori i Presidentit ishte pikërisht ai që prisja të shihja. Në 25 vjetorin e çlirimit, flasim për të kaluarën, betejat e panumërta, që ai dhe shokët e tij i zhvilluan në përpjekjet për liri. Kujtojmë sakrificat e popullit tonë, gjakun e derdhur të dëshmorëve dhe martirëve. Të qindra fëmijëve – ëndrrat e të cilëve u prenë në gjysmë nga një regjim gjenocidal. I tregova edhe për Leotrimin e vogël – i cili u përjetësua në bronz një ditë më parë në Skenderaj”, ka shkruar Çitaku.

Ajo thotë se Thaçi fliste me bindje për të ardhmen e ndritur të Kosovës.

“Biseda kthehet në të tashmen. Përkundër sfidave, Presidenti natyrisht, si gjithmonë, flet me bindje për të ardhmen e ndritur të Kosovës. Vizioni i tij mbetet i qartë. Besimi i tij në popullin tonë, i palëkundur. Pavarësisht hekurave, shpresa dhe aura e tij më mbushin frymëzim.”, u shpreh ajo.

Ajo theksoi se lidhja mes tij, Veselit, Krasniqit, Selimit është shumë e fuqishme duke thënë se ata marrin forcë nga njëri tjetri.

Mes të tjerash, ish-nënkryetarja e PDK-së thotë se kanë folur edhe për kampionatin Evropian.

“Folëm pak për kampionatin e futbollit. Më tregoi që po e përcjellë aq sa mundet, e kur po ka kohë. E pyeta kënd po e mbështetë? Dihet, më tha”, ka shkruar Çitaku.

Ajo tha se Thaçi i la një të vërtetë të paharrueshme se “Dielli do të lind përsëri”.

“Derisa përgatitem të largohem, në qëndrimin e Presidentit nuk shoh një të burgosur. E shoh një burrështetas, trashëgimia e të cilit nuk mund të njolloset nga askush dhe asgjë”, ka shkruar ajo. 

“Në dalje e sipër kujtohem për heronjtë dhe të pamposhturit, për qëndrueshmërinë e popullit tonë. Errësira dhe padrejtësia nuk janë të reja për ne. Por me besim, guxim e dinjitet, do t’i tejkalojmë përsëri, ashtu siç bëmë 25 vjet më parë. Kosova do të bëhet – sepse është ngritur mbi shpatullat e gjigantëve. Presidenti Thaçi më la edhe një herë me një të vërtetë të pamohueshme: Dielli do të lind përsëri”, ka përfunduar Çitaku. /Kosova.info/

Go to TOP