Çitaku për Rita Orën: S’ka lënë t’i ikë asnjë mundësi për të promovuar Kosovën
Nënkryetarja e PDK’së, Vlora Çitaku, ka reaguar pas videos ku shihet Rita Ora duke e mbajtur flamurin serb.
Ajo ka thënë se artistët dhe sportistët kosovarë kanë depërtuar edhe aty ku diplomacia e ka pasur të pamundur
Gjithashtu, ajo ka shkruar se Rita nuk ka lënë t’i ikë asnjë mundësi për të promovuar Kosovën, për të treguar historinë tonë.
“Nga përvoja e di sa shumë kanë bërë artistët dhe sportisët tanë për ta promovuar Kosovën. Ata kanë thyer muret e ngritura nga politika dhe kanë depërtuar edhe aty ku ne si diplomaci e kemi pasur të pamundur. E Rita, nuk ka lënë t’i ikë asnjë mundësi për të promovuar Kosovën. Për të treguar historinë tonë. Në secilën intervistë dhe paraqitje ka folur për ne. Për rrënjët e familjes prej nga vjen. Faleminderit Rita”, ka shkruar Çitaku.
Pak më parë ka reaguar Rita Ora, duke thënë se flamuri i ishte dhënë nga një fans dhe nuk e ka dikur se cilit shtet e përfaqësonte.
Rita Ora ka thënë se e ka kuptuar që flamuri ishte i Serbisë, pasi ka dalë nga skena.
Tutje, Rita tha se është shqiptare krenare dhe se qëllimi i saj nuk ishte që të mos e respektonte trashëgiminë e saj ose të mërziste popullin dhe familjen e saj.
“Mbrëmë gjatë performancës në Festival SZIN në Hungari, mu dha një flamur nga një fans i ri. Prej ndriçimit direkt në sy e në skenë, nuk pashë qartë se cilin shtet përfaqësonte flamuri. Sapo dola nga skena, kuptova se ishte një flamur serb e jo Hungarez”.
“Përderisa i mbështes të githë fansat e mi, nga të gjitha vendet dhe kulturat, dua të bëjë shumë të qartë se jam një shqiptare krenare e Kosovës, dhe nuk ishte qëllimi im të mos respektoja trashëgimin time, ose të mërzitja popullin tim ose familjen time”, ka thënë Rita Ora për Klanin.
