Chelsea transferon talentin e Ajax, Jorrel Hato

Chelsea ka bërë një goditje të madhe në tregun e verës duke transferuar talentin nëntëmbëdhjetë vjeçar të Ajax, Jorrel Hato.

Klubi anglez ka paguar dyzet e tre milionë euro për mbrojtësin e majtë, i cili ka firmosur kontratë shtatëvjeçare me londinezët.

Hato konsiderohet se është një nga talentët më të mëdhenj të futbollit holandez. Ai kishte debutuar për Ajax në moshën gjashtëmbëdhjetë vjeç, duke u bërë njëri nga lojtarët më të rinj në historinë e klubit. Më vonë ishte bërë kapiteni më i ri që ka pasur ndonjëherë Ajax, duke arritur të zhvillojë 111 ndeshje me klubin nga Amsterdami dhe duke shënuar katër gola e duke dhënë dhjetë asistime.

Vlera e transferimit e bën atë një nga lojtarët më të shtrenjtë që ka shitur ndonjëherë Ajaxi, në të njëjtin nivel me Mohammed Kudus që kishte kaluar te West Ham.

Hato i bashkohet një skuadre që sezonin e kaluar fitoi Conference League dhe Kupën e Botës për Klube. Këtë sezon, klubi do të luajë sërish në Champions League pas dy vitesh mungesë.

Ai do të konkurrojë me Marc Cucurella për vendin e titullarit në mbrojtje, por mund të luajë edhe si qendërmbrojtës. Në atë repart, ai do të ketë konkurrencë nga Colwill, Fofana, Adarabioyo, Chalobah dhe Sarr.

Debutimi për Hato mund të jetë më 8 gusht, në një miqësore ndaj Bayer Leverkusen në stadiumin “Stamford Bridge”. Chelsea e nis sezonin e ri të Premier League më 17 gusht kundër Crystal Palace.


Go to TOP