Çeku pret kampionet e xhudos: Distria dhe Laura, krenaria jonë në botë
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku, ka pritur sot në takim kampionet e xhudos, Distria Krasniqi dhe Laura Fazliu, të cilat kanë shkëlqyer në Kampionatin Botëror të Xhudos duke sjellë medalje të rëndësishme për Kosovën.
Krasniqi u shpërblye me medaljen e argjendtë, ndërsa Fazliu me të bronztën duke dëshmuar edhe një herë klasën dhe përkushtimin e jashtëzakonshëm të sportistëve kosovarë në arenën ndërkombëtare.
“Kampionet tona sërish në majat botërore! Sot i prita me shumë kënaqësi në takim Distria Krasniqin dhe Laura Fazliun, të cilat na bënë krenarë në Kampionatin Botëror të Xhudos, Disi me medaljen e argjendtë dhe Laura me të bronztën”, ka thënë ministri Çeku.
Ai i ka përgëzuar gjithashtu edhe trajnerët Toni Kuka dhe Majlinda Kelmendi, si dhe kryetarin e Federatës së Xhudos, Agron Kuka, për rolin vendimtar në suksesin e sportistëve.
“Përgëzime për këto arritje të jashtëzakonshme edhe për trajnerët Toni Kuka dhe Majlinda Kelmendi, e gjithashtu Agron Kuka, kryetar i Federatës së Xhudos. Kosova vazhdon të shkëlqejë në sport falë punës, disiplinës dhe talentit të sportistëve tanë”, theksoi Çeku.
Xhudoja vazhdon të jetë një nga sportet më të suksesshme në Kosovë duke sjellë vazhdimisht medalje dhe lavdi për vendin në kampionate botërore dhe olimpike. /Kosova.info/
