Çekaj reagon për përjashtimin e gazetarëve nga RTK: Mikrofonat mund t’i fikni, por zërin e lirë jo
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hysen Sali Çekaj, ka reaguar ashpër ndaj vendimit të RTK-së për përjashtimin e disa gazetarëve nga moderimi i emisioneve informative duke e cilësuar atë si një akt të hapur censure dhe shenjë të tentativave autoritare të pushtetit.
Në reagimin e tij publik, Çekaj thekson se gazetarët e guximshëm po largohen arbitrarisht nga ekranet, me njoftime të paparalajmëruara dhe joligjore, ndërsa thekson se ky vendim ka hyrë në fuqi nga 1 shtatori duke prekur magazinën e orës 17:00 dhe lajmet e orës 23:00.
“Kur një pushtet fillon të mbyllë mikrofonat, është shenjë që nuk mund të përballojë dot zërin e së vërtetës. RTK, që duhet të jetë televizioni i qytetarëve, po shndërrohet në zëdhënësen private të pushtetit,” ka deklaruar Çekaj.
Ai ka vlerësuar se largimi i gazetarëve dhe heqja e emisioneve nuk kanë të bëjnë me ristrukturim programi, por përbëjnë censurë të pastër, të bërë në mënyrë të fshehtë dhe jo transparente.
Sipas tij, shkaku i vërtetë i këtij veprimi lidhet me intervistat dhe ballafaqimet ku përfaqësuesit e pushtetit janë vënë përballë pyetjeve kritike. “Kur përgjigjet nuk mjaftojnë, fiken kamerat. Kur gazetari nuk përkulet, përjashtohet,” ka shtuar ai.
Çekaj ka theksuar se RTK aktualisht nuk ka Bord funksional, prandaj vendimet për ndryshime në skemën programore janë joligjore dhe arbitrare.
“Ky pushtet po synon diktatin. Ironia është se ata që flasin për demokraci dhe liri mediatike, janë të njëjtët që po mbyllin gojët. Mikrofonat mund t’i fikni, por zërin e lirë jo. Do të mbaheni përgjegjës dhe do të jepni përgjegjësi,” ka përfunduar reagimin e tij Çekaj. /Kosova.info/
