Bytyçi: Organizimi dhe pushteti i UÇK-së nuk ishte realitet

Gazetari Nuhi Bytyçi përfundoi dëshminë në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit në Gjykatë Speciale në Hagë.

Ai insistoi se ka kryer punë objektive gjatë luftës, por edhe kishte qëllim që UÇK-në ta paraqiste si ushtri të fuqishme dhe serioze. Në përfundim, Bytyçi kërkoi që libri i tij të mos merret si bazë që të dënohen ish-krerët e UÇK-së.

Seanca nisi me pyetjet e avokatit të Rexhep Selimit, Erik Talle. Ai pyeti dëshmitarin për librin e botuar pas lufte.

Bytyçi tha se libri i tij është publicistik, në të cilin është munduar të ngrisë sa më lartë vlerat e UÇK-së.

“Ky libër është botuar pas luftës, jam munduar ta paraqes punën time si gazetar dhe t’i paraqes pikëpamjet e mia për UÇK-në, si i kam parë këta djem të ri dhe vasha të reja vullnetar dhe jam munduar që pak ta afirmoj më tepër se sa që duhet dhe nuk kam llogaritur që libri im do të shërbej këtu para prokurorisë dhe kësaj gjykate për ti akuzuar ish krerët e UÇK-së”, ka thënë Bytyqi.

Tutje avokati mbrojtës Eric Tully ,ka pyetur se “a është e vërtet se sa më i madh të ishte rreziku me të cilin përballej UÇK-ja aq më shumë deshët ta portretizonit UÇK-në si një ushtri të fortë që të dukej me e fortë për botën e jashtme?”.

Dëshmitari Bytyçi u përgjigj se kanë synuar dhe kanë arritur që para opinionit ndërkombëtar ta prezantojmë si një ushtri serioze , çlirimtare, vullnetare, e që fitoi besimin te faktorët relevant ndërkombëtar.

Dëshmitari Bytyçi u mor në pyetje edhe nga avokatja e të akuzuarit Jakup Krasniqit, e cila e pyeti se “ paraqitja e zotëri Krasniqit në atë kohë me emër mbiemër e paraqiste para një rreziku të madh apo jo?”.

“Padyshim, ishte një sakrificë e madhe jo vetëm për Krasniqin po edhe për edhe për familjen e tij”, tha Bytyçi.

Pas avokatëve mbrojtës Prokurori Matt Halling vazhdoi me disa pyetje për dëshmitarin Bytyçi.

Gazetari Nuhi Bytyçi, përfundoi dëshminë e tij, por tha se dëshiron të japë një opinion duke shtuar se libri përmban kujtimet e tij. Ky veprim, solli përplasje mes tij dhe Smith.

Go to TOP