Buzhala: Qeveria është ngritur në këmbë për ta mundur një djalë të ndershëm si Arianin
Berat Buzhala ka reaguar ashpër ndaj përfshirjes së eksponentëve të lartë të Vetëvendosjes në fushatën zgjedhore në Mitrovicë duke përmendur emra si Albin Kurti, Donika Gërvalla dhe Mef Bajcinovci.
Ai tha se gjithë ky mobilizim ka një qëllim të vetëm – t’ia marrin Mitrovicën kandidatit Arianit dhe t’ia japin Faton Pecit.
“Prej Albin Kurtit, te Donika Gërvalla, e deri te Mef Bajcinovci veç në Mitrovicë po rrijnë, tuj u mundu me mish e me shpirt me ia marrë Mitrovicën Arianit e me ia dhënë Fatonit,” shkroi Buzhala.
Sipas tij, për një ministër dhe kryetar partie si Faton Peci është poshtëruese që i duhet e gjithë përkrahja e qeverisë përballë një kandidati të ri.
“Me qenë si Faton Peci m’kish ardhë marre. Me qenë ministër që pesë vjet, me qenë kryetar partie, e me ardhë krejt Prishtina me më ndihmu me fitu kundër një djali të ri – bukur poshtëruese,” shtoi ai.
Buzhala akuzoi qeverinë se po përdor punësime, grante e tenderë për të joshur votuesit në Mitrovicë.
“Në këmbë është ngritur një qeveri për të luftuar kundër një djali të mirë e të ndershëm si Ariani, i cili vetë shkon në tubime, vetë në takime, vetë në intervista,” tha ai.
Në fund, Buzhala i uroi sukses kandidatit Arianit: “Të priftë e mbara Arian djaloshi, e qysh thonë – e paç erën pas shpines e diellin përpara.” /Kosova.info/
