Buxheti merr dritën jeshile në komision, i përcillet Kuvendit për votim
Më pesë vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere votoi në parim projektligjin mbi ndarjet e buxhetit të Republikës së Kosovës për vitin 2025.
Paraprakisht ministri i Financave, Hekuran Murati tha se buxheti për vitin 2025 është 3.6 miliardë euro.
“Buxheti për vitin 2025 do të jetë 3.6 milionë euro. Për të ardhur deri te ky buxhet janë marrë parametrat e zhvillimit ekonomik dhe performancës së vitit aktual. Inflacioni deri në shtator ka shënuar ulje për 1.9 për qind dhe presim trend të uljes deri në fund të vitit. Në pjesën e parë të vitit 2024 ekonomia është zgjeruar 4.9 për qind. Deri në fund të vitit presim që ekonomia te zgjerohet në 6.6% qind në terma nominal”, tha Murati para komisionit.
Deputeti nga Partia Demokratike e Kosovës, Mërgim Lushtaku tha se buxheti i planifikuar nuk kontribuon në mirëqenie të qytetarëve dhe si i tillë tha se përbënë mashtrim ndaj tyre.
“E them me keqardhje se buxheti është keq i planifikuar. Buxheti ka shkuar në shpenzime koti si në mallra dhe shërbime. Ne kemi një buxhet të mbijetesës, dhe jo ai që kontribuon në mirëqenie të qytetarëve”, tha ai.
Edhe deputetët tjerë nga opozita adresuan kritika sa i përket planifikimit buxhetor.
Avdullah Hoti nga LDK-ja e quajti buxhetin e planifikuar, buxhet tranzitor.
“Ky është buxhet tranzitor që është në fund të mandatit. Unë e kam një dokument ku tregon realizimin e premtimeve, nga 20 masa vetëm 7 prej tyre kanë nisur të realizohen. Vlerësimi im është që ju keni abuzuar me të drejtat ligjore dhe paranë publike”, tha ai.
Ndërkaq deputeti i AAK-së, Pal Lekaj tha se është përsëritje e viteve paraprake.
“Ky buxhet është përsëritje e buxhetit sikurse nga vitet paraprake”.
Por, shifrat dhe kritikat nga opozita, ministri Murati i quajti të pasakta.
Ndërkohë në mungesë kuorumi komisioni nuk arriti t’i votonte disa pika tjera të rendit të ditës.