Bursat Parlamentare të Bundestagut, përfitues edhe të rinjtë e Kosovës
Të gjithë të rinjtë kosovarë njohës të gjuhës gjermane, e të cilët janë absolventë të fakulteteve të drejtimeve të ndryshme ose që e kanë përfunduar programin e studimeve themelore por që nuk e kanë kaluar moshën 30-vjeç dhe që kanë interesim për jetën publike dhe politike mund të përfitojnë nga programi i bursave Parlamentare të Bundestagut gjerman.
Një gjë të tillë e ka bërë të ditur Ramize Ferati nga Departamenti për Politika dhe Media në Ambasadën e Gjermanisë në Prishtinë, në RTK.
“Kjo bursë përfshinë një shumë në vlerë monetare që u shërben të gjithë kandidatëve për të jetuar në Gjermani, duke përfshinë këtu qëndrimin, një sigurim, biletën e aeroplanit vajtje-ardhje dhe praktiken e ofruar”, ka thënë Ferati.
Ajo ka shpjeguar mundësitë që ofron ky program për të gjithë përfituesit.
“Mundësia është shumë e mirë pasi ata do të njihen jo vetëm me punën në përgjithësi, por do të kenë mundësi të marrin pjesë në komisione parlamentare, seanca plenare, në komisione apo mbledhje të ndryshme të grupeve parlamentare dhe në sferat e përgjithshme politike dhe publike në Gjermani”, u shpreh Ferati.
Tutje ajo shpjegoi ky program ndahet në pjesën teorike dhe atë praktike. Pjesa teorike do të përfshijë ligjërata, seminare dhe punëtori, ndërsa pjesa praktike është përfshinë bashkëpunimin me zyrën e një deputeti gjerman.
Bursa Ndërkombëtare e Parlamentit Gjerman është një program i financuar dhe i organizuar nga Bundestagu gjerman dhe është nën patronatin e vetë presidentit të këtij parlamenti. Ky program i dedikohet të rinjve nga 50 vende të ndryshme të botës, përfshirë këtu edhe Kosovën dhe ka për qëllim transmetimin e vlerave demokratike, tolerancën, fillimin e mirëkuptimit të diversitetit kulturor si dhe nxitjen e bashkëjetesës ndërmjet popujve.
Ky program fillon nga 1 marsi i vitit të ardhshëm, derisa afati i aplikimit do të jetë i hapur deri më 31 korrik të këtij viti.