Burim Berisha i dorëzon stafetën Besnik Osmanit: Një kapitull mbyllet, një tjetër vazhdon
Pas një çerek shekulli në shërbim të qytetarëve, Burim Berisha, kryetari historik i Komunës së Fushë Kosovës, ka bërë sot një hap të rëndësishëm në jetën e tij publike – duke mbyllur me dinjitet një epokë të gjatë dhe duke ia dorëzuar përgjegjësinë një bashkëpunëtori të afërt, Besnik Osmanit.
Në një letër publike, Berisha ka shprehur mirënjohje për besimin dhe përkrahjen e qytetarëve ndër vite duke reflektuar mbi sfidat, arritjet dhe transformimin e qytetit gjatë kohës sa ai ishte në udhëheqje.
“Ka qenë nder i jetës sime të shërbej për një çerek shekulli në krye të këtij qyteti, në kohë sfidash, në periudha rimëkëmbjeje dhe në faza zhvillimi të qëndrueshëm. Ky rrugëtim nuk ka qenë vetëm politik, ka qenë njerëzor, i thellë dhe i përkushtuar deri në detaj”, shkruan Berisha.
Ai thekson se ndryshimi në Fushë Kosovë ka qenë i gjithanshëm – jo vetëm në infrastrukturë, por edhe në kulturën institucionale dhe ndërveprimin me qytetarët.
“Jam krenar për atë që kemi arritur së bashku: një Fushë Kosovë që respekton qytetarin dhe ndërton me maturi.”
Berisha vlerësoi lart pasuesin e tij, Besnik Osmanin duke e përshkruar si një mik, një bashkëpunëtor të besueshëm dhe një figurë me integritet, që është rritur profesionalisht brenda vlerave të ndërtuara nga LDK-ja në këtë komunë.
“Ai nuk është zgjedhje e rastësishme, është vazhdimësi e natyrshme e vlerave që kemi ndërtuar bashkë.”
Ky kalim i stafetës u përshkrua nga Berisha si një vazhdimësi e natyrshme dhe e nevojshme, jo si fund, por si fillim i një kapitulli të ri për qytetin.
“Sot nuk përfundon një rrugë, sot ajo vazhdon me Besnikun përpara.”
Në përmbyllje, Berisha falënderoi qytetarët për bashkëpunimin ndër vite duke lënë pas një trashëgimi të ndërtuar me përkushtim dhe besim të ndërsjellë. /Kosova.info/
