Bujar Ramosaj rinovon kontratën me klubin e njohur zviceran
Reprezentuesi i Kosovës në hendboll, Bujar Ramosaj, ka vazhduar kontratën me klubin elitar zviceran, Kreuzlingen.
29-vjeçari do të luaj për Kreuzlingenin të paktën deri në verën e vitit 2028.
“Jemi të lumtur që Bujar Ramosaj mbetet pjesë e familjes HSCK të paktën deri në verën e vitit 2028”, ka thënë shefi sportiv i Kreuzlingenit, Paul Kaletsch, duke çmuar reprezentuesin dardan.
Ramosaj është te Kreuzlingeni prej verës së vitit 2021 ndërsa prej fillimit ishte “shef i mbrojtjes”, ashtu siç e paraqet klubi.
Kreuzlingeni ka shkruar se lojtari i gjatë 198 centimetra është lider dhe model i luftës së madhe në fushën e lojës, ndërsa jashtë sallës është i qetë dhe shumë i shoqërueshëm.
“Bujari është shembull ideal se si integrimi dhe identifikimi funksionon”, ka vazhduar Kaletsch, duke vlerësuar shumë lart lojtarin kosovar.
Kreuzlingeni synon katër vendet e para në elitën e Zvicrës dhe Bujarin e sheh pjesë të rëndësishme të këtij projekti shumëvjeçar.
Trajneri i Kreuzlingenit, Ralf Bader, që ka përvojë në Bundesligën gjermane si lojtar e si trajner, ka vlerësuar se Ramosaj ka nivelin për të luajtur me sukses në Bundesligë, ligën më të fortë në botë.
Për këtë Bader është shumë i lumtur që Ramosaj ka mbetur te Kreuzlingeni.
“Ndihem shumë komod në këtë klub”, ka thënë Ramosaj.
Ai është i vendosur të vazhdojë kontributin te Kreuzligeni, e natyrisht edhe te Kombëtarja e Kosovës, ku po ashtu është prej lojtarëve më të rëndësishëm.