Botërori 2026, SHBA lehtëson vizat, por thotë se bileta nuk garanton hyrje
Administrata Trump ka prezantuar një sistem të ri të përshpejtuar të vizave për miliona vizitorë që pritet të shkojnë në SHBA për Kupën e Botës 2026, por paralajmëroi se mbajtja e biletave nuk garanton hyrje në vend.
Sistemi i ri i planifikimit të takimeve të prioritizuara, i prezantuar në Shtëpinë e Bardhë, u jep mbajtësve të biletave të Kupës së Botës përparësi në intervistat për vizë. Megjithatë, sekretari i shtetit, Marco Rubio, tha se procesi i përshpejtuar nuk nënkupton miratim automatik, shkruan The Guardian.
“Bileta juaj nuk është vizë. Ajo nuk garanton hyrje në SHBA,” tha Rubio. “Ju ende do t’i nënshtroheni të njëjtit proces verifikimi si të gjithë të tjerët. E vetmja ndryshim është se do të merrni një takim më shpejt.”
Kjo do të thotë se disa prej mbi një milion personave nga vendet e tjera që kanë blerë bileta mund të përballen me ndalim hyrjeje, pavarësisht biletave të vlefshme dhe terminëve të përshpejtuar.
Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, tha se pritet të shiten 6 deri në 7 milionë bileta dhe se mes 5 dhe 10 milionë njerëz mund të udhëtojnë drejt SHBA-së për turneun. SHBA, Meksika dhe Kanadaja – vendet nikoqire – përbëjnë pjesën më të madhe të mbajtësve të biletave, por janë regjistruar blerës edhe nga 212 vende të tjera.
Për të menaxhuar kërkesën e lartë për viza, Rubio bëri të ditur se janë angazhuar mbi 400 oficerë konsullorë shtesë, duke ulur kohën e pritjes nga deri një vit në rreth 60 ditë ose më pak në 80% të vendeve.
“Në vende si Brazili dhe Argjentina, pritja ishte mbi një vit. Tani një takim mund të merret brenda më pak se dy muaj,” tha Rubio.
Ndërkohë, presidenti Trump kërcënoi zhvendosjen e ndeshjeve nga qytetet që ai i konsideron “problematike”, duke përmendur Seattle-in dhe kryetarin e tij të ri socialist demokrat. Qyteti pritet të presë gjashtë ndeshje.
“Nëse shohim shenja problemesh, do t’i kërkoj Infantino-s ta zhvendosë eventin. Ka shumë qytete që do ta mirëprisnin,” tha Trump. Ai shtoi se në Seattle, me një “kryebashkiak shumë liberal”, mund të ketë probleme sigurie.
Trump tha se është i gatshëm të dërgojë Gardën Kombëtare edhe në Los Angeles, duke ngritur shqetësime për kriminalitetin dhe duke kërkuar që autoritetet e Kalifornisë të kërkojnë ndihmë federale.
Ai e cilësoi Kupën e Botës si “një mundësi që ndodh vetëm një herë në jetë” për SHBA-në. Turneu nis verën e ardhshme dhe për herë të parë do të ketë 48 ekipe, të zgjeruara nga 32 sa ishin më parë.
