Botërori 2023 për femra/ Shqipëria barazon me Kosovën

Kombëtarja shqiptare e femrave ka zhvilluar mbrëmjen e sotme ndeshjen e parë eliminatore ndaj Kosovës, e vlefshme për Kampionatin Botëror “Australi – Zelandë e Re 2023”.

Sfida që u zhvillua në stadiumin “Elbasan Arena” përfundoi me barazimin 1-1.

Vajzat kuqezi zhvilluan një ndeshje të mirë, duke krijuar disa raste dhe duke u treguar kërkuese që në minutat e para të lojës.

Goditja e parë e rrezikshme do të vinte në minutën e 13-të, kur Endrina Elezaj do të gjuante një top të fortë drejt portës kundërshtare, por që përfundon sipër rrjetës.

Disa minuta më vonë, provon edhe sulmuesja Mimoza Hamidi, por topi kalon mbi kuadratin e portës. Lojë e mirë për vajzat kuqezi, që kërkojnë rrjetën kundërshtare. Në minutën e 35-të, tenton edhe Esmeralda Franja, që godet bukur me kokë brenda zonës, por topi nuk përfundon në rrjetë.

7 minuta më vonë, gjyqtarja e ndeshjes akordon një penallti në favor të skuadrës tonë, pasi Megi Doçi pengohet brenda zonës. Doçi vendos ta marrë vetë përsipër ekzekutimin e 11 metërshit, duke e kthyer në gol dhe duke kaluar në avantazh ekipin kuqezi.

Në fraksionin e dytë të ndeshjes, skuadra jonë e menaxhon mirë lojën, duke tentuar të ruajë rezultatin 1-0. Ekipi i Kosovës bën disa zëvendësime në këtë pjesë, teksa në minutën e 72-të gjen golin e barazimit me Valentina Limanin, e cila shfrytëzon bukur një asist të Memetit.

5 minuta më vonë, Grima vendos të hedhë në fushë Sara Begallon, duke dalë nga fusha Mimoza Hamidi.

Rezultati nuk ndryshon deri në fundin e lojës, me vajzat kuqezi që pavarësisht rezultatit zhvilluan një ndeshje të mirë.

Shqipëria e nisi lojën me këtë formacion: Rexhepi, Hilaj, Curraj, Maliqi, Elezaj, Krasniqi, Franja, Gjini, Doçi, Hamidi, Maksuti

Go to TOP