Bordi përgëzon gazetaren Xhoxhaj për çmimin nga ambasada amerikane “Grua e guximshme e Kosovës”

Bordi i Radiotelevizionit të Kosovës, i kryesuar nga kryetari Besnik Boletini ka pritur në takim gazetaren e RTK-së znj. Venera Xhoxhaj- Adili, e cila së fundmi është vlerësuar nga Ambasada Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë me çmimin “Grua ndërkombëtare e guximshme” për vitin 2024.

Znj. Xhoxhaj-Adili, i është ndarë çmimi nga ambasadori amerikan Hovenier “Grua e guximshme e Kosovës” për guximin e saj të jashtëzakonshëm për raportimin e së vërtetës pavarësisht rreziqeve gjatë protestave të dhunshme në veri të Kosovës, për mbrojtjen e lirisë së mediave, për përkrahjen e kolegëve të saj gazetarë, si dhe punën e saj për të mbështetur demokracinë multietnike të Kosovës përmes vendosmërisë së saj për t’i dhënë hapësirë zërave të heshtura.

Me këtë rast kryetari Besnik Boletini, e vlerësoi lartë angazhimin dhe guximin znj. Xhoxhaj-Adili në punën e saj veçanërisht gjatë raportimeve në veri të Kosovës. Ai inkurajoi gazetaren Xhoxhaj dhe të gjithë kolegët e saj në RTK për angazhim profesional dhe objektiv gjatë punës në RTK. Kryetari Boletini gjithashtu vlerësoi lartë angazhimin e Ambasadës së ShBA-së në Kosovë në vlerësimin dhe inkurajimin e gazetarisë profesionale në RTK dhe në mbrojtjen e lirisë së mediave në Kosovë.

Gazetarja Venera Xhoxhaj Adili shprehu entuziazmin e saj për çmimin dhe për përkrahjen e punës së saj, si dhe shprehu gatishmërinë në angazhimin të mëtutjeshëm në raportim profesional dhe në mbrojtjen e lirisë së mediave.

Në këtë takim ishin prezentë edhe nënkryetarja e Bordit Albulena Mehmeti, anëtarja Fatime Lumi-Qehaja dhe anëtarja Arta Berisha. /Kosova.info/

Go to TOP