Bordi i FHK-së merr vendime strategjike për kampionatet verore dhe pjesëmarrjen në gara evropiane
Është mbajtur mbledhja e radhës e Bordit të Federatës së Hendbollit të Kosovës (FHK), nën drejtimin e presidentit Edin Kolgeci, ku janë marrë vendime të rëndësishme për zhvillimin e mëtejshëm të këtij sporti, si në nivel vendor ashtu edhe ndërkombëtar.
Në këtë mbledhje u aprovua raporti i Komisarit të Garave dhe u shqyrtuan raportet e Komisarit për Vlerësim të Gjykimit, përfshirë edhe vlerësimin për dy ndeshjet e fundit të Kombëtares A, ndaj Ishujve Faroe dhe Holandës.
Bordi caktoi përzgjedhësit e ekipeve kombëtare për kampionatet evropiane të verës. Kombëtaren U17 të vajzave do ta drejtojë trajneri Verim Zherka, ndërsa Kombëtaren U19, selektori Agron Shabani. Përgatitjet për Kombëtaren U19 të djemve, e cila do të marrë pjesë në Kampionatin Botëror që zhvillohet në gusht në Egjipt, do të nisin më 25 qershor, sipas programit të trajnerit Fatmir Muhaxheri.
Në fokus ishte edhe organizimi i Kampit Veror të NLB-së në Banjë të Pejës. Bordi caktoi Bujar Qerimin si koordinator për hendbollistët e rinj dhe Faruk Shalën për hendbollistet e reja. Për herë të parë, FHK do të jetë pjesë e projektit Grassroots të EHF-së. Në këtë kuadër, më 22 dhe 23 korrik do të organizohet një trajnim për trajnerët e grupmoshave të reja dhe për zhvillimin e hendbollit në shkolla, me ligjëruesen Luisa Estriga nga EHF.
Gjithashtu, Bordi vendosi që të vazhdohet me përkrahjen financiare për ekipet që do të marrin pjesë në garat evropiane. Afati për paraqitje është deri më 23 qershor, ndërsa përkrahja do të jetë: 5000 euro për skuadrat kampione, 4000 euro për fituesit e kupës dhe 3000 euro për ekipet tjera që marrin pjesë në Kupën e EHF-së.
Federata e Hendbollit të Kosovës po synon një verë dinamike dhe të suksesshme për të gjitha nivelet e përfaqësimit kombëtar dhe zhvillimit të sportit në vend. /Kosova.info/
