Bokshiqi dashuria dhe ëndrra ime jetësore!

Shkruan: Florim ZEQA 

Meditim

Vendi ku njeriu lind, rritet dhe edukohet është dhe mbetet vendi më i dashur, më i çmuar dhe më i shenjtë i jetës. Edhe pse jam i lindur në Spitalin e qytetit të Pejës, vend rritja ime, Bokshiqi mbetet vendi më i bukur dhe më i dashur, më i ngrohtë dhe më atraktiv për të jetuar.

Bokshiqi vend i vogël me histori të lavdishme

Bokshiqi është fshat në jug-perëndim të Komunës së Klinës i cili kufizohet me Lugun e Baranit, përkatësisht me Gllogjanin e Pejës. Bokshiqi përveçse njihet si vend kodrinore-malor, me toka të pëlleshme bujqësore dhe blegtori të zhvilluar, njihet edhe me histori të lavdishme dhe rezistenca të shumta ndaj pushtuesve serbo-sllav.

Në malet e Bokshiqit, në marsin e vitit 1948 është zhvilluar lufta heroike e prijësit të çetës antikomuniste, Ndue Përlleshit nga Paskalica kundër forcave sllavo-komuniste e ndihmuar nga atdhetarët e fshatit dhe fshatrave përreth.

Edhe në historinë më të re të Kosovës, Bokshiqi u bë pjesë aktive dhe e pandalshme e rezistencës aktive kundër pushtimit klasik të Serbisë Millosheviqiane.

Rezistenca e Bokshiqit e 23 shkurtit të vitit 1993, kundër aksionit famëkeq të armëve nga policia serbe, i kishte kaluar përmasat e martirizimit. I madh dhe i vogël ishin të gatshëm për sakrificë dhe vetëflijim, mirëpo falë sugjerimeve të institucioneve Republikës së Kosovës dhe rekomandimeve të miqve ndërkombëtar u tërhoqëm nga rezistenca e armatosur.

Përsëri edhe gjatë luftës së fundit në Kosovë, Bokshiqi ishte caku i parë i sulmit të forcave serbe në Komunën e Klinës dhe jo vetëm. Organizimi ushtarak dhe rezistenca ishin në nivelin e duhur për aq sa ishin mundësitë e përballjes me një armik shumëfish më të fuqishëm me armatim dhe artileri ushtarake.

Dashuria e vërtetë është hyjnore

Po i kthehem dashurisë dhe ëndrrave për kthim në atdhe, në Bokshiqin e fëmijërisë, edukatës, rritës dhe kalitjes time burrnore. Aty nga nëna Hysnije i mësova ninullat e para, u rrita duke dëgjuar rrëfimet e gjyshërve dhe pleqve të fshatit për sfidat e jetës dhe sakrificat e panumërta të tyre. U rrita me ndejat nëpër Oda të burrave, me traditat dhe zakonet e bukura popullore, u rrita në harmoni familjare dhe fqinjësi të mirë me të gjithë bashkëfshatarët.

Për herë të parë në moshën 5 vjeçare, nga babai Halili mësova për prejardhjen, origjinën dhe historinë e të parëve tonë nga Kalimashi i Shqipërisë, nga e cila buron edhe emërtimi i lagjes tonë, si Mëhalla e Kelmekshve, emërtim ky i trashëguar ndër shekuj në fshatin Bokshiq.

Bokshiqi është një ndër fshatrat e rralla në Kosovë, në të cilin nuk kanë ndodhur asnjëherë dhe në asnjë kohë vrasje ndërvëllazërore apo ndërfqinjësore. Kjo, përveçse madhështi është edhe krenari e papërshkruar më fjalë.

Respekt dhe mirënjohje atdhetare të gjithë vëllezërve dhe kushërinjve, të gjithë fqinjëve dhe bashkëfshatarëve të mi, këtyre njerëzve të mirë dhe atdhetarë, të urtë dhe punëtorë të cilët gjithnjë ditën të bëhen bashkë në festa dhe gëzime, por edhe në momente të hidhura pikëllimi duke i lehtësuar dhimbjet njëri-tjetrit.

Mirënjohës për jetë e mot prindërve të mi, babait Halilit dhe nënës Hysnije, të dytë edukator dhe pishtarë të arsimit shqip në kohën e tyre.

Mirënjohës dhe falënderues paraardhësve dhe trashëgimtarëve, familjarëve të familjes së madhe Zeqa për edukatën e shëndoshë dhe në frymën atdhetare.

Mirënjohës dhe falënderues mësuesit të parë, Enver Rexhepi nga Peja dhe të gjithë arsimtarëve dhe profesorëve të ciklit të mesëm dhe universitar.

E dua qytetin e Pejës sikurse çdo qytet tjetër të Kosovës, por qyteza e Klinës është më afër zemrës time. Për zemër e kam edhe Mitrovicën, qytetin e studimeve dhe të dashurisë time. Në Mitrovicë përveç dijes u pasurova edhe me bashkudhëtaren e jetës, Sebihanen e cila i dha kuptim dhe rrugëtim të mbarë jetës time. Ishte zonjusha e parë nga qyteti që zbriti në fshatin Bokshiq, në fshatin e 1001 ndodhive historike. Ishte ky një kontrast i madh, por edhe gërshetim i bukur i traditave qytetare me ato katundare.

Dashuria e vërtetë e kapërcen çdo pengesë në jetë, është hyjnore!

Fizikisht në Itali, me shpirt e zemër për Bokshiqin legjendar

Edhe pse po bëhen 28 vite në mërgim, asnjëherë dhe për asnjë qastë nuk u ndava nga atdheu im. Lidhjet e fuqishme me vendlindjen më shkaktojnë emocione të papërshkruara shpirtërore, mall dhe nostalgji të pakufishme për Bokshiqin legjendar.

Për të mos thënë çdo minutë dhe çdo sekondë, për çdo ditë meditojë për fëmijërinë time, meditojë për fushat dhe malet, për kroin e fshatit, meditojë për kohën e rinisë dhe për kohën e pjekurisë time.

Por ja që vitet po ikin shpejt dhe mosha e pleqërisë po më troket tek dera, por unë nuk po i përgjigjem dot, me shpresën që të kthehem shpejt në vendlindje për të shijuar përsëri aromën e gjithçkaje të mirë në vendin më të bukur në botë.

Këtë meditim dëshirojë që ta përfundojë me poezinë time, të shkruar shtat vite më parë.

Ëndrra për atdhe

Ditët e gjata në mërgim,

shpresat për kthim n’vendlindje m’i shtojnë.

Të shoh si rritet atdheu im,

ta ndjejë frymarrjen e lirë,

të popullit tim.

Vendlindja ime e shtrenjtë,

këtu n’mërgim rri e vuaj,

me mallin për ty, jetës kornizë i bëj,

panoramë e ndjeshme, këtu në vend të huaj.

E kur të vdes,

dua që dheu i yt të më mbuloj.

Edhe i vdekur, në varr,

aromën e dheut ta shijoj,

nën erën e blinit të djegur ndër shekuj,

ndoshta shpirtin qetësoj!

Go to TOP