Bojkotimi i Natasha Kandiq nxit reagime, një arsyetim para saj e bëri edhe Kryeministri Kurti

Një tryezë diskutimi për fatin e personave të pagjetur e organizuar nga Komisioni për të Drejtat e Njeriut e solli dje në Prishtinë, aktivisten serbe për të drejtat e njeriut Natasha Kandiq. Por kur e mori fjalën Kandiq, familjarë dhe disa nga shoqatat e të pagjeturve e lëshuan sallën duke mos dashur ta dëgjonin. Ky bojkotim shkaktoi reagime të disa gazetarëve dhe vet Bajram Qerkinit nga “Shoqata e Familjarëve të Personave të Pagjetur” që ishte pjesë e tryezës së diskutimit. Një arsyetim në takimin me Kandiqin e bëri edhe kryeministri Kurti.

Gazetari Halil Matoshi ka thënë se bojkotimi i fjalimit të Natasha Kandiqit e cila i ka dokumentuar krimet e regjimit të Millosheviqit dëmton interesat e vet shoqatave të të pagjeturve dhe të shtetit të Kosovës.

“Nataša Kandić krimet e regjimit të Slobodan Milošević-it i ka hulumtu e dokumentu deri në detaje. E vetmja që i dokumenton vrasjet e civilëve dhe i ka denoncu forcat serbe të sigurisë!Askush nga shqiptarët asnjë dokument valid për vrasjet në Kosovë nuk e ka!? Pos rrëfimeve. Sepse gjatë luftës në Kosovë asnji institucion autonom nuk ka ekzistu, pos organeve të instalueta të invaduesit. Tue bashkëndie me familjarët e të pagjetunve të luftës, muj me u thanë se sot janë koritë! Me këso qëndrimesh kontroverse damtohen interesat e vet atyne por edhe të shtetit”, ka shkruar Matoshi.

Ndërkaq gazetari kosovar në Beograd, Idro Seferi, ka thënë se sjellja e djeshme ndaj Kandiqit nuk i bën nder Kosovës.

“Reagimi ndaj Natasha Kandic sot ne Prishtine eshte deshmi qe shume akter te opinionit publik ne Kosove dhe si shoqeri jemi duke u bere siperfaqesore dhe se jemi duke i krijuar disa debate publike banale dhe nuk jemi duke e pare veten. Nuk ta sqaroj shume njohjen time me te dhe vlerat e saj pasi ato as nuk ia shtoj e as mungoj. Eshte fascinuese me hy ne departamentin e arkives se Fondit ne Beograd.Pavaresisht a i pelqen dikujt ose jo ka shume serb qe meritojne rruge e sheshe ne Kosove pavaresisht asaj se sa i irriton disa njerez kjo ose jo. Nuk jane te gjithe njerezit e nje kombi njesoj edhe kurre sdo te jene as shqiptaret, as serbet dhe asnje ne kete bote. Dhe nuk na bene ndere”, ka shkruar Seferi.

Edhe gazetari Adriatik Kelmendi, e ka quajtur të turpshme mosmirënjohjen ndaj Drejtoreshës së Fondit për të Drejtën Humanitare.

“Nëse do të punonin shqiptarët vetëm sa gjysma e punës që ka bërë Natasha Kandiq për ndriçimin e krimeve serbe në Kosovë sot kjo çështje do të kishte shumë më tepër rezultate! E turpshme dhe zhgënjyese mosmirënjohja e treguar sot nga disa individë në një takim në Prishtinë”, ka shkruar ai.

Kurse Bajram Qerkini nga “Shoqata e Familjarëve të Personave të Pagjetur” që ishte prezent në tryezën e diskutimit tha se ata persona që e lëshuan sallën kur filloi të fliste Kandiq janë disa individë që nuk shohin larg dhe merren më shumë me politikë.

“Ata kanë dalë mendoj unë se nuk shohin larg dhe nuk janë drejtpërdrejt të prekur por janë do njerëz që merren më shumë me politikë dhe më kanë thënë se si po mundesh ti me punu me serbë dhe minoritetet tjera. Nëse në Kosovë nuk ndjehen rahat të gjitha minoritetet dhe jemi të shpallun shtet i pavarur multietnik ne nuk kemi kuptuar asgjë”, ka thënë Qerkini.

Ai ka sqaruar se katër shoqata të të pagjeturve kanë qëndruar në sallë dhe nuk kanë dalë jashtë dhe se me veprimin e djeshëm e kanë humbur një mikeshë të madhe.

“Katër shoqata të të pagjeturve kemi qëndruar, për mua ka qenë marri e madhe të një mysafiri që e ka tregu një rrugë prej 1998 deri në 2000 një rrugëtim për të pagjeturit. Unë nuk e di kah kjo ide dhe çfarë patriotizmi është në këtë kohë mos me e dëgju një doktorreshë e pranuar ndërkombëtarisht për zbardhjen e të pagjeturve dhe për luftën që e bën ajo për të drejtat e njeriut. Kjo ka me na kushtu shumë dhe e kemi humb një mikeshë për personat e pagjetur e sidomos për të drejtat e njeriut”, tha ai.

Aktivisten serbe për të drejtat e njeriut, Natasha Kandiq, e ka pritur në zyrë dje kryeministri Albin Kurti.

Zyra e kryeministrit në komunikatën për media lidhur me takimin e Kurtit me Kandiqin, deklaroi se tryeza e organizuar dje s’ka qenë në koordinimin me Zyrën e Kryeministrit, Presidentes apo Kryetarit të Kuvendit, ku Kandiq u bojkotua nga disa përfaqësues të të pagjeturve.

“Ndërsa për tryezën e sotme të drejtuar nga kryetarja e Komisionit parlamentar për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione, u theksua se është organizuar pa koordinim paraprak me Zyren e Kryeministrit, Zyren e Presidentes dhe të Kryetarit të Kuvendit, gjë që ka pamundësuar praninë e tre udhëheqësve të këtyre institucioneve në tryezë”, thuhet në komunikatë.

Go to TOP