Bie interesimi i qytetarëve për vaksinimin anti-COVID

Numri më i ulët i rasteve të lajmëruara me COVID-19 ka relaksuar qytetarët. Madje në qendrat e vaksinimit ka pak interesim për vaksinim.

Në kryeqytet brenda ditës lajmërohen më pak se 10 persona brenda të dy ndërrimeve sa punon kjo qendër.

“Nuk është interesimi sikur në fillim… Brenda ditës vijnë 5 apo 6 raste dhe jo më shumë …”, tha Florina Ushaku Grezda, mjeke familjare në QKMF në Prishtinë, raporton RTK.

E përafërt është gjendja edhe në qendrën e vaksinimit në komunën e Malishevës.

“Ka ra numri I qytetarëve për tu vaksinuar sepse ka ra edhe numri I të infektuarve dhe numri I atyre që marrin vaksina sillet në 5 raste në ditë”, tha Shkëlzen Sahitaj, Shef i shërbimit të vaksinimit në Malishevë.

Numër i vogël i qytetarëve është edhe në qendrën e vaksinimit në Fushë Kosovë marrë parasysh se aty ndalojnë të marrin vaksinë edhe ata që udhëtojnë.

“Është specifike se ka qytetarë që vijnë nga aeroporti për t’u vaksinuar por edhe përfshirë këto raste numri brenda javës sillet nga 15-20 qytetarë në ditë” , tha Fitnete Simnica Ferizi, Koordinatore e QVC-së Fushë Kosovë.

Lakorja e rasteve të regjistruara me COVID 19 ka përparuar ditët e fundit. Por jo edhe e të vaksinuarve. Tabelat që ka përcjellë Ministria e Shëndetësisë për 5 ditët e fundit flasin për numër të ulët të personave të vaksinuar derisa më 20 qershor nuk kishte asnjë qytetar të vaksinuar në gjithë territorin e Kosovës.

Ndryshe, Ministria e Shëndetësisë në raportin për 24 orët e fundit, sot ka njoftuar se janë dhënë 66 doza të vaksinës kundër COVID-19

Ndërsa, prej fillimit të vaksinimit në të gjitha qytetet e Kosovës janë dhënë 1.830.399 doza të vaksinës. Deri më sot 823.674 qytetarë janë vaksinuar me dozën e dytë.  Kurse, deri më sot janë dhënë 103.144 doza përforcuese dhe doza të treta të vaksinës kundër COVID-19.

Go to TOP