Betejat e pandershme për poste!

Shkruan: Bajram MJEKU

Jam fort i bindur se dinjitetin e një zyrtari publik, mund të matësh më së miri në ndërrim pushtetesh, më saktë në ditët e para kur ikë një parti politike pasi ka humbur zgjedhjet dhe vjen e reja që i ka fituar ato. Sikur të ishe naiv, në fillim krijohet ndjesia se në institucionin ku punon do të rrotullohet gjithçka dhe me ardhjen e shefave të rinj, do të fillojë gjithçka për mbarë!

Marrja e posteve të larta në Kosovë, nuk matet me CV-në apo performancën e mirë, por ato fitohen kryesisht bazuar në dy linja kryesore; të jesh injorant i madh si kusht i parë, ndërsa kushti i dytë është të jesh pafundësisht servil. Kur këtë soj njerëzish e shikon gjakftohtë dhe nga distanca, t’i kujtojnë klounët e shfaqjeve perverse.

Kur isha student, nga mesi i viteve tetëdhjetë, filloi një betejë bizare midis dy gazetarëve tonë që vinin nga i njëjti regjion dhe beteja e tyre e vetme, e cila me kalimin e kohës u shndërrua në legjendë ishte se cili nga ata do të bëhej shef i shtojcës “Komunisti”. Kjo shtojcë, publikohej një herë në muaj dhe futej midis faqeve të së përditshmes “Rilindja”. Edhe sot kam ndjesinë se sikur ndonjë radhitës të shtypte sloganin atëherë të famshëm “Kosova Republikë!”, nuk do ta arrestonte askush, pasi shtojca “Komunisti”, nuk lexohej as nga vet komunistët, pra nga askush! Beteja midis dy ish-gazetarëve të regjimit pati zgjatur me vite dhe përkundër betejës së gjatë, pozitën e shefit të shtojcës “Komunisti”, e fitoi një gazetar edhe më fort i lidhur me pushtetin dhe vinte nga një provincë e Kosovës, të cilën nuk do ta besonte as optimisti më i madh!

Dhjetë vitet e ardhshme gjatë kohës së okupimit, në marrëdhënie pune i kam kaluar në Qendrën për Informim të Kosovës (QIK) me seli në Prishtinë. Nuk e fsheh dot se kjo ishte pjesa më dinamike në jetën time dhe pa dashur të humb modestinë, atë punë të jashtëzakonshme dhe në rrethana të jashtëzakonshme, nuk e ka bërë askush. Gjatë këtyre viteve i kisha vetëm dy shefa, profesionalisht të ngritur dhe fort dinjitoz. I pari ishte shkrimtari e publicisti Ibrahim Berisha dhe i dyti gazetari dhe publicisti i ndjerë, Enver Maloku. Që të dy e kishin vetëm një “privilegj” që dallonte nga ne. Kur hynte policia serbe në ambientet e QIK-ut, natyrshëm i kërkonin shefat, të cilët po ashtu natyrshëm merrnin përgjegjësinë, më saktë merrnin edhe riskun e keqtrajtimit e burgosjes, derisa shefi i fundit i QIK-ut, Enver Maloku angazhimin e tij të jashtëzakonshëm e pagoi me jetë. Unë ende besoj se atëbotë ishim më shumë profesionistë se sot dhe sikur institucionet e Kosovës pas luftës të zgjidhnin njerëz profesionistë e dinjitozë, pozicioni politik i Kosovës brenda dhe karshi institucioneve ndërkombëtare, do të ishte shumë më i avancuar, ndërsa institucionet e drejtësisë, sigurisë dhe institucionet tjera, do të ishin komode si në shtetet skandinave.

* * *

Vitet e pasluftës ishin të çuditshme dhe pothuaj nuk kanë ndërruar asgjë as në formë, as në përmbajtje. Rreth dhjetë vite më parë kur u ndërruan pushtetet, isha viktima e parë që prisja ndërrimin, i cili ndodhi dhe e prita me gjakftohtësi! Më dërguan në një punë të re që nuk kisha haber për të, por as kjo nuk mjaftoi. Në vend se shefi i ri të pyeste këshilltarin e tij se si jam duke i kryer punët në detyrën e re, ai kishte pyetur si po ndjehem në planin shpirtëror mbas shkarkimit! Këshilltari i tij, pasi kishte thënë se ai është nëna e çudive dhe po ndjehet njësoj si atëherë kur ishte drejtor, shefi i kishte thënë se mirë do të ishte që ta largojmë krejt nga puna!

Kaluan vitet dhe një mëngjes pasi u ndërrua pushteti, kolegët më thanë papritur; të erdhi dita! Domethënë dikasterin ku punoj, do ta drejtonte shefi që vinte nga grigja ime politike! Sa herë janë ndërrua shefat, momenti më i shpifur më është dukur ai çasti kur shefi i ri i shoqëruar me ndonjë injorant servil, vjen kinse për t’u njohur me zyrtarët e institucionit duke u ngjitur nga njëri kat në katin tjetër. Për këto “evente”, gjithmonë na kanë njoftuar të paktën gjysmë ore përpara dhe gjithmonë e kam braktisur tavolinën e punës, derisa shefi i ri ka kryer ceremoninë e njohjes. Kësaj radhe një veprim të këtillë nuk mund ta bëja, mbasi me shefin e ri kishim punuar rreth dhjetë vite. Erdhi çasti i madh dhe veç përshëndetjes, rendi e donte edhe të përqafoheshim!

Të nesërmen në mëngjes, një zyrtar i veshur solemnisht me kostim të zi e kollare blu, erdhi tek tavolina ime dhe me mirësjelljen më të madhe kërkoi të pinim kafe bashkë me një kolegë tjetër. Pranova dhe shkuam në byfe. Pak çaste më vonë, kolegu i veshur me kostim të zi e kollare fringo të re, më tha se i disponojnë të gjitha informatat se unë do të emërohesha sekretar i përgjithshëm dhe kërkoi që ata t’i shpërbleja me pozita të reja! U thashë se nuk do të ndodhte kjo dhe shtova se jeni bërë si personazhet e çuditshme të burgut në librat e Fatos Lubonjës, por ata nuk kuptonin gjë, për faktin se jo që nuk i kishin lexuar librat e Lubonjës, por zor të kishin lexuar ndonjë libër në dekadën e fundit!

Të gjitha i kam falur, por një fakt më është dukur tepër pervers që vazhdon edhe sot. Zyrtarët që kishin gjuajtur gurë kundër meje dhe të tjerëve në kohën kur shefin e kishin nga grigja e tyre politike, të njëjtit e pritnin para zyrës me orë të tëra shefin dhe kolegun tim të dikurshëm dhe kur i pyetja çfarë pritnin aty?, të gjithë sikur ishin marrë vesh midis tyre kthenin të njëjtën përgjigje: – Më thirri shefi për një punë të rëndësishme!

Odiseada për luftën e posteve nuk ka përfunduar. Beteja e injorantëve dhe servilëve vazhdon njësoj, për dallim që vitet ikin dhe mbrapa nuk kemi lënë asgjë të dobishme për pasardhësit tanë…

Go to TOP