Beteja e Venezuelës për arin që ruhet në Angli

Guaido ka thënë se mirëpret vendimin e gjykatës dhe se do të vazhdojë t’i paraqesë faktet se përse gjykatat e Britanisë nuk duhet të njohin vendimet e Tribunalit Suprem të Venezuelës

Gjykata Supreme e Britanisë së Madhe ka marrë vendim se lideri opozitar i Venezuelës, Juan Guaido, duhet të njihet si president në detyrë i shtetit në rastin që do të përcaktojë se kush kontrollon arin në vlerë gati 2 miliardë dollarësh që ruhet nga Banka e Anglisë.

Një panel prej pesë gjyqtarësh të hënën është pajtuar se gjykatat britanike duhet të respektojnë vendimin e qeverisë të vitit 2019 për të njohur Guaidon si president të përkohshëm të Venezuelës. Kjo do të jetë në qendër të betejës për arin, sepse Guaido dhe presidenti Nicolas Maduro kanë emëruar borde të ndryshme për të mbikëqyrur bankën qendrore të Venezuelës dhe të dy kanë thënë se arin duhet ta menaxhojnë ata.

Mirëpo ky rast nuk ka përfunduar. Gjykata Supreme e ka kthyer mbrapsht vendimin te gjykata e ulët për të vendosur nëse bordi i Guaidos është i ligjshëm pasi Tribunali Suprem i Venezuelës e deklaroi si jokushtetues emërimin e bordit të opozitarit.

Guaido ka thënë se mirëpret vendimin e gjykatës dhe se do të vazhdojë t’i paraqesë faktet se përse gjykatat e Britanisë nuk duhet të njohin vendimet e Tribunalit Suprem të Venezuelës.

“Teksa ne do të paraqesim faktet, bordi i emëruar nga presidenti Guaido do të vazhdojë të kontrollojë rezervat dhe do t’i mbrojë ato nga regjimi i Maduros”, ka thënë Guaido në një komunikatë për media.

Guaido, atëherë lider i Asamblesë Kombëtare të Venezuelës, kishte sfiduar vazhdimin e mandatit të Maduros si president, duke argumentuar se zgjedhjet e vitit 2018 ishin manipuluar dhe të jashtëligjshme. Guaido ka thënë se është president i përkohshëm i shtetit nën kushtetutën që ia mundëson kryetarit të legjislaturës që të mbajë postin e presidentit deri në organizimin e zgjedhjeve të lira.

Derisa një numër i madh i shteteve, përfshirë SHBA-në dhe Britaninë e Madhe, e kanë njohur Guaidon si president, ai kurrë nuk ka arritur të shtrijë autoritetin e tij dhe Maduro ka mbetur në krye të pushtetit në Venezuelë.

Avokatët e Bordit të Maduros kanë thënë se mbetet autoriteti i vetëm që mund të mbikëqyrë asetet e jashtme të Bankës Qendrore.

Bordi i Maduros ka akuzuar Guaidon për përçarje dhe se e ka bërë të pamundur betejën ndaj Covid-19 duke bllokuar asetet.

Partia e presidentit Nicolas Maduro dhe aleatët e tij i fituan zgjedhjet parlamentare në Venezuelë në fillim të dhjetorit të vitit 2020. Këto zgjedhjet u bojkotuan nga partitë kryesore opozitare. Me mbi 80 për qind të votave të numëruara, Këshilli Kombëtar Zgjedhor kishte deklaruar fitoren e Maduros me 67.6 për qind të votave.

Bojkotimi i zgjedhjeve është udhëhequr nga lideri i opozitës, Juan Guaido, i cili tash e dy vjet është në luftë për pushtet me Maduron.

Nën qeverisjen e Maduros ekonomia është dobësuar dhe mungesat e ushqimeve dhe ilaçeve janë rritur. Sipas Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Refugjatë (UNHCR), aktualisht janë rreth 4.5 milionë refugjatë dhe emigrantë nga Venezuela në të gjithë botën.

Go to TOP