Berisha kritikon PDK-në dhe VV-në për bllokimin e subvencioneve për “Pastrimin”: Po e vështirësojnë jetën e punëtorëve

Aktivisti Alban Berisha ka reaguar ashpër pas votimit në Asamblenë e Kryeqytetit, ku PDK dhe Lëvizja Vetëvendosje, sipas tij, kanë votuar bashkërisht kundër subvencionimit të Ndërmarrjes Publike “Pastrimi”.

Sipas Berishës, me këtë vendim i janë bllokuar fondet që ishin paraparë si ndihmë për ndërmarrjen dhe punëtorët e saj. Ai thekson se justifikimet politike dhe deklaratat boshe nuk kanë rëndësi përballë faktit se kush po i pengon drejtpërdrejt kushtet e punës për qindra punonjës.

“Tani, nuk kanë rëndësi justifikimet, e as deklaratat boshe, rëndësi ka kush po e bllokon ndërmarrjen!?”, shkruan Berisha.

Ai shton se edhe pse është e qartë që një pjesë e punonjësve janë të politizuar, ata duhet të kuptojnë se jetën dhe mirëqenien e tyre po e vështirësojnë pikërisht ata që i nxisin për protesta politike, e ndërkohë ua mohojnë ndihmën bazike.

Reagimi i Berishës vjen pas një debati të zgjatur në Kuvendin Komunal për mbështetjen financiare të Ndërmarrjes “Pastrimi”, që luan një rol kyç në mirëmbajtjen e pastërtisë në kryeqytet. /Kosova.info/

Go to TOP