BE-ja me avazin e Evropës së vjetër!

Shkruan: Florim ZEQA 

Zhvillimet e fundit politike në vend, e në veçanti ato në pjesën veriore janë shqetësim për të gjithë qytetarët e vendit dhe mërgimtarët në përgjithësi. Mirëpo, i njëjti shqetësim nuk është edhe për politikanët, të cilët po sillen me indiferencë të skajshme ndaj ngjarjeve në veriun e vendit.

E vështirë, por jo e pamundur

Nuk mjaftojnë deklaratat politike për media dhe as prononcimet në “Facebook”, por kërkohen veprime të shpejta dhe konkrete në drejtimin e duhur. Hapi i parë është krijimi i unitetit mes forcave politike në vend. Ngase çështja e veriut të vendit nuk është partiake dhe as ideologjike, është kombëtare dhe jetike për të ardhmen e vendit.

Situata në veri është konfuze dhe e paqartë, për shkak të pavendosmërisë së ndërkombëtarëve në ndërmarrjen e veprimeve të duhura për heqjen e barrikadave dhe krijimin e kushteve për lëvizjen e lirë të qytetarëve në të dyja drejtimet.

Situata në veri nuk është e re, ajo është e trashëguar që nga paslufta, e cila praktikisht që 23 vjet është e tillë dhe jashtë kontrollit të institucioneve të Republikës së Kosovës së 17 shkurtit 2008. Prandaj nuk është aspak i lehtë rikthimi i situatës normale në atë pjesë të vendit. Për të mos thënë e pamundur, e kemi tejet të vështirë ta kthejmë normalitetin në veri, përkatësisht nën kontrollin e plotë të institucioneve tona shtetërore pa ndihmën e ndërkombëtarëve.

BE-ja sikurse Evropa e 1913-s

Mirëpo, siç shihet ndërkombëtarët, në veçanti BE-ja është e gatshme që t’na sakrifikojnë edhe një një herë me kompromise të dhimbshme me humbje të territoreve siç ka ndodhur edhe në të kaluarën.

Sikurse Evropa e 2013-s, që copëtoi territoret shqiptare, ashtu është duke vazhduar edhe BE-ja e sotme, e cila haptas është duke e ndihmuar Serbinë gjakatare për gllabërimin e territorit të Kosovës së sotme.

Për fatin tonë të mirë, jo i gjithë faktori ndërkombëtar është në favorin e Serbisë. Mirëpo, nëse faktori ndërkombëtar arrin të unifikohet për zgjidhjen e drejtë në veriun e vendit tonë, me siguri rezultati do të del pozitiv për ne.

Që kjo të ndodhë, paraprakisht ne duhet të jemi të unifikuar si asnjëherë më parë rreth veriut. Nuk ka ndarje pozitë-opozitë, nuk ka ndarje partiake para interesit të shtetit dhe kombit. Në të kundërtën, kështu siç jemi të ndarë dhe katandisur, është vështirë i rikthyeshëm veriu i vendit.

Gabimet e së kaluarës, fatale për të ardhmen e vendit

E kam cekur paraprakisht në analizat e mia politike, se, gabimet që janë bërë në të kaluarën janë vështirë të riparueshme. Marrëveshja ndërkombëtare për Asociacionin e komunave me shumicë serbe e nënshkruar nga dy ish kryeministrat tonë në Bruksel më 2013, përkatësisht 2015, e për fatin tonë të keq edhe e ratifikuar (2013) në Kuvendin e Republikës së Kosovës më shumicën e votave të deputetëve shqiptarë, është vështirë e ndryshueshme.

Edhe përkundër rekomandimeve të Gjykatës Kushtetuese për shkeljen e 23 neneve në marrëveshjen e 2015-s, ajo mbetet në fuqi si një marrëveshje ndërkombëtare e nënshkruar për të dyja palët dhe bashkësisë ndërkombëtare si ndërmjetësuese.

Një gjë duhet ta kuptojmë të gjithë, marrëveshjet ndërkombëtare janë marrëveshje të kryera, ato nuk kthehen pas, siç nuk guxon të kthehet pas pavarësia e Kosovës.

Prandaj, anulimi i marrëveshjeve ndërkombëtare është i pamundur pa pëlqimin e dy palëve nënshkruese. Thënë ndryshe, është i pamundur parandalimi i themelimit të Asociacionit të komunave serbe në veri të vendit. E vetmja mundësi që ende është në dorën tonë, është mbajtja e këtij asociacioni nën juridiksionin politik të shtetit të Kosovës, përkatësisht brenda kornizës kushtetuese.

Heqja e kompetencave ekzekutive për Asociacionin do ta shpëtonte ndarjen “De Jure” të vendit, ngase “De Facto” e kemi të ndarë që 23 vjet. Ndryshe, është e vështirë të bëhet diçka më shumë në atë drejtim.

Kthimi në Kuvend për rivotim i marrëveshjes së vitit 2013 duhet të jetë hapi i parë i Qeverisë e jo viktimizimi i kryeministrit. Në anën tjetër, edhe opozita duhet t’i lejë anash akuzat stereotipa ndaj qeverisë dhe të kalojë në veprime konkrete për ta zhbllokuar veriun e vendit, në të kundërtën, çdo gjë që po bëjnë politikanët tonë, do të mbetët lojë më fjalë dhe demagogji politike dhe asgjë më shumë.

Go to TOP