Bateria me rërë, përgjigjja ndaj krizës energjetike

Shkencëtarët finlandezë kanë arritur të vënë në punë baterinë e parë me rërë, që mund të ruajë energji të rinovueshme për disa muaj me radhë.

Inxhinierët thonë se me këtë bateri mund të zgjidhet problemi për furnizim afatgjatë me energji të gjelbër. Falë përdorimit të rërës, bateria arrin të karikohet me nxehtësi që prodhohet nga energji elektrike të përftuar përmes paneleve diellore apo erës.

Rëra arrin të ruajë nxehtësinë deri në 500 gradë celsius, e cila më pas ngroh shtëpitë në dimër, kur energjia është më e shtrenjtë.

Finlanda e siguron pjesën më të madhe të gazit nga Rusia, kështu që lufta në Ukrainë ka rikthyer vëmendjen nga burimet e rinovueshme të energjisë, aq më tepër tanimë që Moska ka ndërprerë furnizimet me gaz dhe energji elektrike pas vendimit të Helsinkit për t’iu bashkuar NATO-s.

“Përmes kësaj baterie, arrijmë të ruajmë shumë shpejt sasi të mëdha energjie që përftohet përmes paneleve diellore apo mullinjve të erës”, thotë për BBC Markku Ylönen, një prej dy themeluesve të kompanisë “Polar Night Energy”.

Pajisja është instaluar në impiantin energjetik në Vatajankoski dhe deri tani kanë arritur të prodhojnë energji për të ngrohur shtëpitë që ndodhen aty pranë, zyrat e tyre e madje edhe pishinën lokale.

Sfida më e madhe tani është që kjo metodë e ruajtjes dhe shfrytëzimit të energjisë të përdoret në shkallë të gjerë, në mënyrë që të bëjë ndryshimin e vërtetë. “Është diçka shumë e thjeshtë dhe e çmendur njëkohësisht, por mendoj se do të jetë sukses”, thotë Pekka Passi, menaxheri i përgjithshëm i impiantit energjetik Vatajankoski.

Shkencëtarët finlandezë, Markku Ylönen dhe Tommi Eronen, të cilët patën idenë e përdorimit të baterisë me rërë. Djathtas bateria me rërë, e vënë në punë në një impiant energjetik në Finlandë.
Go to TOP