Bashkimi luan mirë, por pëson humbje ndaj Dijonit
Skuadra e Bashkimit ka bërë një paraqitje shumë të mirë ndaj Dijonit francez në ndeshjen e tretë të “FIBA Europe Cup”, por përpjekja nuk ka mjaftuar për fitore.
Në palestrën “Sezai Surroi” në Prizren, Bashkimi është mposhtur pas vazhdimeve me rezultat 83:74.
Ndeshja ka qenë e fortë dhe e baraspeshuar. Prizrenasit pjesën e parë e kanë mbyllur me gjashtë pikë epërsi, 36:30, por francezët janë rikthyer në çerekun e tretë, të cilin e kanë fituar 25:9. Bashkimi ka reaguar në çerekun e fundit me rezultat 23:13, duke e çuar takimin në vazhdime pas barazimit 68:68. Megjithatë, Dijoni e ka shfrytëzuar përvojën dhe ka fituar me nëntë pikë epërsi.
Për Bashkimin, TJ Bickerstaff është dalluar me tetëmbëdhjetë pikë, njëmbëdhjetë kërcime dhe tri asistime, ndërsa Lejson Zeqiri ka kontribuar me katërmbëdhjetë pikë e gjashtë kërcime. Isaiah Cousins ka shtuar trembëdhjetë pikë, tri kërcime e katër asistime.
Kjo është humbja e tretë rresht për Bashkimin në Grupin J, ndërsa Dijoni ka regjistruar fitoren e parë. Në garën evropiane, për në raundin e dytë kualifikohen fituesit e dhjetë grupeve dhe gjashtë skuadrat më të mira të vendeve të dyta.
Bashkimi deri tani ka tri fitore në Superligën e Kosovës, por në Evropë është mposhtur edhe nga Cibona (93:79) dhe Reggiana (100:65). Ndeshjen e radhës në “FIBA Europe Cup”, prizrenasit do ta zhvillojnë ndaj Cibonës më 4 nëntor.
