Bashkëpunim ShSKUK-Luksemburg për kardiologjinë
Një delegacion i Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (ShSKUK), përbërë nga drejtori i përgjithshëm Elvir Azizi, drejtori i Klinikës së Kardiologjisë Faik Shatri, Prof. Shpend Elezi dhe Aferdita Ademi–Osmani, udhëheqëse e Programit për mbështetjen e shëndetësisë në Kosovë, Faza II, zhvilloi nga data 8 deri më 11 tetor 2025 një vizitë zyrtare në Luksemburg.
Qëllimi i kësaj vizite ishte vazhdimi dhe thellimi i bashkëpunimit ndërmjet ShSKUK-së dhe institucioneve shëndetësore të Luksemburgut, me fokus në përmirësimin e cilësisë dhe sigurisë së shërbimeve shëndetësore në fushat e kardiologjisë, kardiokirurgjisë dhe elektrofiziologjisë.
Gjatë qëndrimit në Luksemburg, delegacioni u prit nga drejtori i përgjithshëm i Institutit Kombëtar për Kardiokirurgji dhe Kardiologji, me të cilin u diskutuan mundësitë për bashkëpunim më të ngushtë dhe shkëmbim të përvojave në këto fusha.
Kjo iniciativë shënon një hap të rëndësishëm drejt avancimit të shërbimeve shëndetësore në Kosovë dhe përforcimit të kapaciteteve profesionale në sektorin e kardiologjisë dhe kirurgjisë së zemrës.
