Barcelona shton edhe tri pikë drejt titullit

Barcelona ka vazhduar serinë pozitive në La Liga, duke mposhtur me rezultat minimal 1-0 Celta Vigo dhe duke rikthyer epërsinë prej nëntë pikësh në krye të tabelës.

Ndeshja në “Camp Nou” nisi me ritëm të lartë, ku të dyja skuadrat krijuan raste që në sekondat e para. Megjithatë, vendasit hasën vështirësi për të gjetur portën, ndërsa mysafirët treguan organizim të mirë në mbrojtje dhe tentuan të rrezikojnë në kundërsulm.

Momenti vendimtar erdhi në pjesën e parë, kur talenti i ri Lamine Yamal fitoi një penallti pas një depërtimi në zonë dhe e konkretizoi vetë me saktësi, duke realizuar golin e vetëm të takimit. Ky ishte goli i tij i 16-të në kampionat këtë sezon. Megjithatë, sulmuesi u detyrua të largohet menjëherë pas aksionit për shkak të një dëmtimi.

Barcelona pësoi edhe një goditje tjetër gjatë pjesës së parë, pasi Joao Cancelo u detyrua të largohet nga loja për shkak të lëndimit.

Në pjesën e dytë, Celta Vigo u shfaq më kërkuese, me disa tentativa të rrezikshme, por nuk arriti të konkretizojë.

Në anën tjetër, Barcelona shënoi edhe një gol përmes Ferran Torres, pas një asistimi të bukur nga Pedri, por goli u anulua pas rishikimit me VAR.

Pavarësisht presionit të mysafirëve në minutat e fundit, katalanasit arritën ta ruajnë epërsinë minimale dhe të sigurojnë tri pikë të rëndësishme.

Kjo fitore shënon suksesin e tetë radhazi për Barcelonën në kampionat, ndërsa skuadra mbetet e pathyer në gjashtë përballjet e fundit ndaj Celta Vigos.

Nga ana tjetër, mysafirët vazhdojnë të mbajnë pozitën e shtatë në renditje, pavarësisht humbjes.


Go to TOP