Barcelona fiton dhe e përforcon pozitën e parë
Barcelona ka shënuar fitore 2:0 ndaj Osasuna, duke u shkëputur përkohësisht me shtatë pikë në krye të LaLiga.
Goli i parë dhe i dytë i katalanasve u realizuan nga braziliani Raphinha, i cili ishte vendimtar në pjesën e dytë të ndeshjes.
Skuadra e trajnerit Hansi Flick e ka dominuar takimin që nga fillimi, pavarësisht se Osasuna është mbrojtur me pesë lojtarë në vijën e fundit.
Barcelona ka krijuar disa raste, por është përballur me pritje të mira të portierit Sergio Herrera, ndërsa një gol i Ferran Torres është anuluar nga VAR për pozicion jashtë loje.
Pas shumë përpjekjesh, goli ka ardhur në minutën e shtatëdhjetë, kur Raphinha ka shënuar me një goditje të fortë.
Barcelona e ka vazhduar presionin edhe pas epërsisë, ndërsa Osasuna ka tentuar të rrezikojë vetëm nga kundërsulmet.
Fitorja është vulosur në minutat e fundit, kur Raphinha ka realizuar edhe golin e dytë, duke i siguruar tri pikë të plota Barcelonës.
Me këtë rezultat, Barcelona ka tani tetë fitore radhazi në shtëpi. Ndërsa, Osasuna e ka pësuar humbjen e parë pas pesë ndeshjesh dhe mbetet në zonën e rrezikut në tabelë.
