Barbano kërkon drejtësi për pjesëtarin e EULEX të vrarë 10 vjet më parë: Të na rikujtojë urgjencën për pajtim e stabilitet

Shefi i EULEX-it, Giovanni Pietro Barbano, bashkë me drejtorin e Policinë e Kosovës, Gazmend Hoxha, kanë nderuar sot doganierin lituanez të EULEX-it, Audrius Šenavičius, i cili u vra në krye të detyrës 10 vjet më parë në Mitrovicë.

“Ngushëllimet e mia janë me familjen dhe miqtë e tij”, ka shkruar ai, derisa ka publikuar fotografitë nga vendosja e luleve në vendin ku ra ai.

Barbano e theksoi se krimi ende s’është zbardhur dhe se autorët nuk janë mbajtur përgjegjës.

“Një dekadë më vonë, ky krim mbetet i pazbardhur dhe autorët nuk janë mbajtur para përgjegjësisë. Audrius dhe familja e tij meritojnë drejtësi. EULEX-i dhe BE-ja presin drejtësi. Kosova dhe rajoni kanë nevojë për drejtësi”.
Shefi i EULEX po ashtu tha se kjo ceremoni përkujtimore duhet të shërbejë edhe si kujtesë për pasojat kur s’ka stabilitet në rajon.

“Na kujtoftë kjo ceremoni edhe për pasojat e paqëndrueshmërisë së vazhdueshme në rajon dhe për urgjencën për t’u ripërkushtuar ndaj kauzës së pajtimit dhe sundimit të ligjit, si mënyra më e mirë për të nderuar sakrificën përfundimtare të kolegut tonë Audrius”.

Audrius Šenavičius ishte oficer doganor i EULEX-it i cili punonte me ndërrime të rregullta në pikë-kalimet veriore.

Angazhimi i tij i parë në Mision ishte prej muajit prill 2010 deri në maj 2011 si Oficer Doganor i të Hyrave, ndërsa angazhimin e dytë si Oficer Doganor e filloi në gusht 2012. Para angazhimit të tij në EULEX, ai ishte Inspektor i Lartë në Departamentin e Doganës në Lituani.

Go to TOP