Banorët e Shajnës kundërshtojnë ndërtimin e fabrikës
Projekti për ndërtimin e një fabrike për shkrirjen e ferro-kromit në fshatin Shajnë të Komunës së Dragashit po has në kundërshtimin e banorëve, duke bërë që kërkesa për lejen e ndërtimit të dështojë për herë të dytë. Banorët shprehin shqetësimin se fabrika do të sjellë ndotje të ajrit dhe rrezik për shëndetin, duke përmendur sëmundjet e shumta që janë rritur kohët e fundit.
Kërkesa e konsorciumit shqiptaro-zviceran për ndërtimin e një fabrike për shkrirjen e ferro-kromit në fshatin Shajnë të komunës së Dragashit, po dështon për herë të dytë. Herën e parë investitori kishte kërkuar që t’i jepej leje në gusht të vitit 2024. Por kërkesa e ripërsëritur nuk u mirëprit nga banorët e fshatit.
“E kemi refuzuar për shkak të ndotjes së ajrit, sepse, nuk është ajo fabrikë, por ndotje e ajrit. Fabrikat i kemi, dy copa janë, le ta hapin një fabrikë prodhimi, atë le ta qelin. E nëse mendojnë me e qelë këtë, ka me ik krejt fshati”, tha Blerim Mustafa, banor i Shajnës.
“Katundarët nuk po pranojnë për shkak se kur të shkrihen ato mos po e ndotin ambientin, mos po na bëhet sëmundje. Shumë sëmundje po dalin tash, jemi kundër”, tha Shahap Behrami, banor i Shajnës.
Meqë projekti hasi në kundërshtim të madh të banorëve, u vendos që në një pikë të rendit të ditës të diskutohej në asamblenë komunale. Disa asamblistë ishin të pajtimit që kërkesa të hiqej nga rendi i ditës e disa të tjerë kërkuan të diskutohej, me qëllim që t’i thuhet jo këtij projekti njëherë e përgjithmonë.
“Po më duket se në mënyrë të turbullt, me një shpejtësi na u afrua, e në mënyrë të turbullt po duhet me ju lidh koka kësaj punë. Unë po mendoj që kjo pikë të mbetet si pikë e rendit të ditës dhe të votohet nga asamblistët, që njëherë e përgjithmonë të marrë fund ky problem”, tha Nexhat Selaj, asamblist.
“Duhet të ndjekim hapat ligjorë, rrugët ligjore e cila është në momentin që arrijmë në pikën e shtatë, të votojmë pro largimit të pikës shtatë, nuk mendoj që është e udhës ose e ligjit apo e demokracisë largimi i kësaj pike të rendit të ditës”, tha Uran Halimi, asamblist.
Kryetari i Komunës së Dragashit, Behxhet Xheladini, thotë se investitori premton që të mos ketë ndotje, nëse merr lejen e ndërtimit.
“Nëse na ia japim lejen, në leje do t’i shënojmë të gjitha ato kushte që ai do t’i plotësojë; së pari të mos e ndotë ambientin, së dyti kjo fabrikë të mos ketë oxhak, së treti ai të lë kaucion në komunë 4.8 milionë euro. Nëse dështon ndërtimi i fabrikës, ato mjete ai do të ja japë komunës. Gjithashtu u ka premtuar qytetarëve të Shajnës të ua financojë nga një projekt të cilët ata dëshirojnë të ndërtojnë”, tha Xheladini.
Vlera e investimeve të këtij projekti në Dragash, sipas kryetarit të komunës, kap shifrën rreth 48 milionë euro, ndërsa do të punësoheshin 250 punëtorë, ku paga mesatare nuk do të ishte më pak se 2500 euro.
